Maqedoni

Timonie: Në maj mund të merrni lajme të mira

04.11.2019 18:03

Muaji maj i vitit të ardhshëm mund të sjellë lajme të mira nga BE, ndërkohë mbetet tek partitë më të mëdha...

Muaji maj i vitit të ardhshëm mund të sjellë lajme të mira nga BE, ndërkohë mbetet tek partitë më të mëdha politike të merren vesh për mënyrën e zgjedhjeve, luftën kundër korrupsionit, një gjyqësori i cili me sukses duhet të ballafaqohet me korrupsionin, deklaroi ambasadori i Francës, Kristijan Timonie, në praninë e zëvendëskryetares së Senatit francez, Helene Konvej Mouret, e cila po qëndron për vizitë në vendin tonë.
 
“E di që kjo rrugë është e gjatë, por ne jemi në anën tuaj që t’u ndihmojmë për këtë. E dini që ekziston procesi i revizionit të BE-së dhe nëse jepen pika pozitive deri në muajin maj edhe nga ana juaj edhe nga ana jonë, mendoj se do të arrijmë të marrim lajme të mira”,- tha ambasadori i Francës, Kristijan Timonie.
 
Lokvenec pas takimit me Mouret: Veç integrimit në BE, alternativë tjetër nuk ka
 
Pas takimit me senatoren franceze, Hari Llokvenec, kryetar i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, tha se alternativë e vetme e vendit është integrimi në BE.
 
“Alternativë të rrugës evropiane të Maqedonisë nuk ka asnjë formë, as në esencë në lidhje me disa organizata të tjera ndërkombëtare në botë. Do të thotë zgjidhja e vetme është anëtarësimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”,- theksoi kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Hari Lokvenec.
 
Milloshovski pas takimit me Mouret: Franca nuk dëshiron të zgjasë negocimi
 
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshovski, tha se Franca po përpiqet që periudha e negocimit të mos zgjasë shumë.
 
“Atë që e potencoi senatorja franceze është se ata nuk do të dëshironin të kenë vende kandidate të cilat shumë gjatë do të negocionin për anëtarësim, siç e bën tani Turqia. Duan të jenë më të sinqerta me vendet e tanishme kandidate dhe ta ofrojnë atë që për ata realisht do të jetë e pranueshme, ndërsa për ne e realizueshme”,- u shpreh kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Miloshevski.
 
Grubi pas takimit me Mouret: Franca do të publikojë metodologjinë e re
 
Nga senatorja u njoftuam se Franca së shpejti do të prezantojë metodologjinë e re për zgjerim, tha pas takimit kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi.
 
“U njoftova se Presidenca franceze gjatë kësaj fundjave ka diskutuar dhe ka punuar në mënyrë intensive mbi përgatitjen e një metodologjie të re, e cila do t’i propozohet vendeve tjera anëtare për miratim dhe të zhbllokohet udhëtimi jo vetëm i Maqedonisë së Veriut, por edhe i Shqipërisë dhe vendeve tjera aspirate drejt anëtarësimit të plotë në BE”,- u shpreh kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi.
 
Zëvendëskryetarja e Senatit francez, Helene Konvej Mouret, të martën pritet të takojë edhe kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi. 
 
NAIM RAMADANI