Maqedoni

Eurointegrimet, Sasoli: Maqedonia e Veriut duhet të nisë bisedimet

04.11.2019 18:34

Maqedonia e Veriut do të duhet të nis bisedimet me BE-në, pasi plotëson të gjitha parakushtet....

Maqedonia e Veriut do të duhet të nis bisedimet me BE-në, pasi plotëson të gjitha parakushtet, deklaroi kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasoli, pas takimit me kryeministrin, Zoran Zaev, në Shkup. Nëpërmjet gjuhës diplomatike, kryetari i Parlamentit Europian, David Sasoli, nuk saktësoi se marrja e datës do të ndodh në Samitin e radhës të BE-së në maj në Zagreb, por tha se sinjal pozitiv paraqet rishqyrtimi i vendimit të disa vendeve të BE-së që ndikuan në shtyrjen e dhënies së datës për hapje të bisedimeve.
 
“Vendimi nuk ishte shkatërrim ose humbje, por një lloj ngecje. Ne jemi më të fuqishëm, pasi që në anën tonë janë të gjitha institucionet europiane të cilat janë të bindura se Maqedonia e Veriut duhet që të nisë procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE, pasi që vendi posedon të gjitha karakteristikat dhe kushtet që kjo të ndodhë. Ne presim që për disa muaj të ndryshohet vendimi që u soll në takimin e fundit të liderëve të BE-së”,- tha kryetari i Parlamentit Europian, David Sasoli.
 
Zaev: Me të gjitha forcat do të ecim drejt BE-së
 
Kryeministri, Zoran Zaev, ritheksoi se vendi nuk ka alternativë tjetër përpos BE-së. Kreu i ekzekutivit theksoi se të gjitha kërkesat për një metodologji të re paraqasëse drejt BE-së duhet sfiduar që forcave anti-europiane t’u ngushtohet hapësira e veprimit në vend.
 
“Do të dëshmojmë se nuk heqim dorë nga orientimet tona strategjike drejt BE-së dhe NATO-s. Do të përballemi me kritikën e pritur dhe trysninë nga forcat anti BE dhe retrograde, por do t’ia dalim. Kemi forcë të mjaftueshme brenda për reformat e mëtejme, për luftë kundër korrupsionit dhe sundimin e së drejtës. Këto do të jenë rezultatet dhe argumentet tona se vendi ynë është në BE. Ne besojmë në vlerat europiane dhe shpresojmë se shansi i ri për vendin tonë do të hapet së shpejti”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Kreu i Parlamentit Europian, Sasoli, do të takojë edhe presidentit, Stevo Pendarovski. Në ditën e dytë të vizitës së tij të parë në Shkup, ai do të realizojë takim edhe me kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, grupet parlamentare, si dhe do të mbajë fjalim para deputetëve.
 
MERAL ISMAILI