Studimi: Trafikimi njerëzor, ende prezent në Ballkan
Maqedonia duhet të rrisë angazhimin e Inspektoratit të Punës për identifikimin e viktimave nga trafikimi njerëzor......

Maqedonia duhet të rrisë angazhimin e Inspektoratit të Punës për identifikimin e viktimave nga trafikimi njerëzor, shteti duhet t’i lejojë dhe tu mundësojë organizatave joqeveritare të kryejnë punën e tyre profesionale dhe të jenë të pavarur në identifikimin dhe zbulimin e këtyre personave të trafikuar, ndërsa të gjitha njësitë policore të MPB-së, duhet të trajnohen dhe të kyçen në procesin e identifikimit sa më të hershëm të viktimave.
Këto janë disa ndër vërejtjet më kryesore në raportin e fundit të hulumtimit “Trafikimi i qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor”, i realizuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim. Konstatimi i përgjithshëm për vendet e rajonit është se trafikimi njerëzor vazhdon të jetë prezent në Ballkan në forma të ndryshme.
“Në vendet e Ballkanit kemi vërejtur se viktimat më të shpeshta të trafikimit të qenieve njerëzore janë gratë, në të shumtën e rasteve ato eksploatohen seksualisht. Rritje të trafikimit njerëzor ka edhe tek burrat me eksploatimin e fuqisë së tyre punëtore në fushën e bujqësisë dhe ndërtimtarisë. Nëpër vendet e Ballkanit, po ashtu, vërehet në shumë forma të ndryshme edhe eksploatim i fëmijëve, siç është për shembull detyrimi i fëmijëve për të lypur”- deklaroi koordinatorja e hulumtimit IOM Vienë, Myra Albu.
“Unë do t’u kisha rekomanduar të lexoni rezultatet e këtij hulumtimi me shumë vëmendje, sepse i njëjti përmban këshilla dhe rekomandime të caktuara, që duhet t’i ndiqni”- tha përfaqësuesi i ambasadës së R. Italisë, Xhovani Vietri.
Përfaqësuesit e MPB-së, nuk pajtohen me konstatimin se ekziston problem në identifikimin e viktimave. Ata janë të mendimit se në këtë proces duhet kyçur të gjitha palët e involvuara në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, e jo vetëm MPB-ja. (Rexhep Qamili, TVM2)
