Irak, vriten pesë protestues në Bagdad
Forcat e sigurisë irakiane kanë vrarë së paku pesë persona, pasi kanë hapur zjarr ndaj protestuesve në Bagdad...

Mijëra njerëz po marrin pjesë në protestat më të mëdha antiqeveritare në dekadat e fundit. Rreth 12 persona raportohet se u plagosën kur policia qëlloi ndaj protestuesve që po mblidheshin pranë selisë së televizionit shtetëror.
Më herët, protestuesit sulmuan konsullatën iraniane në qytetin e shenjtë shiit të Qerbelasë.
Më shumë se 250 irakianë janë vrarë që nga fillimi i protestave antiqeveritare në muajin tetor. Protestuesit thonë se kanë dalë në rrugë edhe për shkak të papunësisë dhe shërbimeve të dobëta dhe korrupsionit.
Kryeministri i Irakut më 3 nëntor u bëri thirrje protestuesve të ndihmojnë në rivendosjen e jetës normale në të gjithë vendin dhe tha se trazirat i kushtojnë ekonomisë "miliarda dollarë".
Kryeministri, Adil Abdul-Mahdi, tha në një deklaratë se protestat, të cilat "tronditën sistemin politik", kishin arritur qëllimin e tyre dhe duhet të ndalen.
