Ademi: Do të rrisim përkrahjen financiare për UEJL-në

19.09.2014 15:36

Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, ka qëndruar sot në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për të uruar fillimin e vitit akademik në këtë universitet, por edhe për të vendosur partneritetin e ri më substancial në mes të MASH-it dhe UEJL-së......

Numri një i dikasterit të Arsimit, Abdylaqim Ademi, tha se ai vetë do të angazhohet që Ministria e Arsim dhe Shkencës këtë universitet ta trajtojë në mënyrë të barabartë dhe të njëjtë me të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë në RM.

"Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeveria e Maqedonisë, kanë ndarë mjete financiare për të përkrahur financiarisht UEJL-në dhe në buxhetin e vitit 2015 janë ndarë 30 milion denarë ose 500 mijë euro, që ndoshta mund të jenë simbolike, por akti është më i rëndësishëm dhe besoj që në partneritet me udhëheqësinë e UEJL-së do të krijojmë kushte dhe kapacitete të tilla, që kjo sasi e mjeteve financiare viteve në vijim edhe të dyfishohet dhe të trefishohet"- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

Rektori i UEJL-së, Zamir Dika, thotë se ky angazhim i ri i MASH-it, tregon rritjen e përkrahjes për arsimin e lartë në gjuhën shqipe.

"Ne më në fund gjetëm atë zërin e arsyes, faktikisht gjetëm një njeri që ka vizion, d. m. th. e përkrahi një vizion të përkrahjes së cilësisë së arsimit të lartë në përgjithësi me këtë akt dhe jo vetëm si ministër, personalisht e ka meritën e vet në krijimin e këtij historiku të ri të UEJL-së, por edhe pjesëmarrja në qeveri dhe një falënderim i shkon edhe qeverisë, pasi me këtë përkrahje të universitetit me mjete nga buxheti i RM-së, ata edhe njëherë dëshmuan se vazhdojnë financiarisht të rrisin kontributin për përkrahjen e arsimit të lartë në gjuhën shqipe"- tha rektori i UEJL-së, Zamir Dika.

Në të ardhmen, UEJL do të kyçet edhe në projekte të tjera të Ministrisë së Arsimit, veçanërisht në shpërndarjen e literaturës shkencore që përkthehet për nevojat e universiteteve publike, por edhe në ngritjen e kapaciteteve tjera të nevojshme për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor dhe arritjen e qëllimeve të përbashkëta të qeverisë dhe universiteteve për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë. (Miftar Emini, TVM2)