Sasoli fjalim para deputetëve: Me shtyrjen e negociatave do të përfitojë RMV

05.11.2019 14:43

Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian kanë ardhmëri të përbashkët....

Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian kanë ardhmëri të përbashkët, ka deklaruar para deputetëve kryetari i Parlamentit evropian, David Sasoli.

Sipas tij, vendi të gjitha vështirësitë në rrugën drejt Evropës do të duhet t’i tejkalojë me optimizëm, pasi bëhet fjalë për një moment kalimtar dhe jo gabim historik. Sipas Sasolit, procesi i negociatave duhet të fillojë sa më shpejtë, ndërkaq nga shtyrja e marrjes së datës do të përfitojë Maqedonia e Veriut.

“Opinionet në këtë moment në lidhje me konkluzionet e Këshillit Evropian u mundësojnë edhe atyre shteteve që manifestuan rezerva, motiv të mjaftueshëm që vërejtjet e tyre të tejkalohen dhe rishikohen. E kuptojmë se edhe Bashkimi Evropian duhet ta bëjë pjesën e vet të punës, ndërsa edhe vendet e interesuara për anëtarësimin në Evropë të vazhdojnë me rrugën e tyre. Sigurisht se nuk do të kryhen kur do të fillojnë negociatat aderuese. Ky do të jetë një moment që do të përforcojë procesin e reformave për të cilat ka nevojë edhe Maqedonia e Veriut”,- tha kryetari i Parlamentit Europian, David Sasoli.

Sasoli gjithashtu nuk anashkaloi edhe ndërrimin e emrit të shtetit si parakusht për t’u aderuar në familjen evropiane. Sipas tij, kjo flet për guxim dhe paraqet një moment kyç në zhvillimin e procesit integrues.

Kryeparlamentari evropian ripërsëriti se Unioni paraqet një mundësi të madhe të vlerave, por dhe sfidave që do të duhet të tejkalohen bashkërisht, nga të cilat do të përfitonin gjithë qytetarët e Evropës si në aspekt të sigurisë, demokracisë, lirisë dhe të drejtës. (Meral Ismaili, TVM2)