Maqedoni
Kuvend, në mungesë kuorumi, shtyhet seanca
05.11.2019 17:54
Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, deputetët nuk arritën të vazhdojnë seancën e 116...

Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, deputetët nuk arritën të vazhdojnë seancën e 116, ku mes tjerash pritej të miratohet edhe Ligji për pagën minimale. Në sallë nuk ishin të pranishëm deputetët e VMRO-DPMNE-së. Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se ka pritur që deputetët e VMRO-DPMNE-së të sqarohen se pse nuk marrin pjesë, ndonëse paraprakisht ishte konsultuar me të gjithë koordinatorët për rrjedhën e seancës. Ai shtiu seancën për nesër në orën 15.
“Duke u bazuar në konsultimin me të gjithë koordinatorët u dakorduam se me numrin e deputetëve të mjaftueshëm në vend sot do të mund të mbajmë seancë. Pas një vendimi politik të opozitës, e cila është e drejtë e tyre, unë nuk e mohoj këtë, kanë vendosur që mos të marr pjesë në punën e kësaj seance. Unë prisja që të sqarohen në procedurale për këtë, por nuk kemi kushte për vendimmarrje. Koordinatorët e pranishëm premtojnë se nesër do të sigurojnë praninë e 61 deputetëve. Për këtë arsye mbyll seancën dhe vazhdojmë nesër në orën 15”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Paga minimale, Kitev: Hapet spiralja për rritje në të gjithë sektorët
Paraprakisht, nga LSDM thonë se një rritje e tillë e pagave minimale ka hapur spiralen e rritjes së pagave në të gjithë sektorët.
“Kjo do të thotë plus mbi 60,000 denarë në vit për secilin të punësuar. Një rritje e tillë e pagave minimale ka hapur spiralen e rritjes së pagave në të gjithë sektorët. Më pak se dy vjet e gjysmë, paga mesatare është rritur rreth 2,000 denarë. Gjatë së njëjtës periudhë, paga mesatare në shëndetësi është rritur për 4,700 denarë, në arsim me 2,000 denarë dhe me mbi 3,000 denarë në industrinë e prodhimit dhe bujqësisë. Pagat do të vazhdojnë të rriten në të gjithë sektorët, përfshirë sektorin privat”,- tha Betian Kitev nga LSDM.
Paga minimale pritet të rritet në 14.500 denarë. Këtë vendim e mori qeveria pas mbledhjes konsultative që e realizoi kryeministri, Zoran Zaev, me përfaqësues të odave ekonomike, sindikatave dhe punëdhënësve.
NAIM RAMADANI
