Maqedoni
Ndryshimi i modelit zgjedhor, Zaev: Një njësi zgjedhore pa lista të hapura
05.11.2019 18:05
Debati për ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë njësi në një njësi zgjedhore dhe lista të hapura...

Debati për ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë njësi në një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, depërtoi edhe në Kuvend. Nismës së një grupi deputetësh për shqyrtimin e kësaj çështjeje iu përgjigj edhe kryeministri, Zoran Zaev, i cili konsideron se modeli me një njësi zgjedhore i shërben demokratizimit më të thellë të shoqërisë, rrit autoritetin dhe përgjegjësinë e deputetit dhe redukton klientelizimin.
“Përmes këtij modeli, gjithsesi se deputeti do të ketë legjitimitet dhe peshë më të madhe dhe e gjithë kjo mund të sjellë më shumë kualitete për jetën e qytetarëve në përgjithësi. Sigurisht do të ndihmojë që të bie klientelizmi që e ndjejmë në të gjitha pushtetet. Në një mënyrë tjetër veprojmë për depolitizimin dhe departizimin e shoqërisë, përfshirë edhe Administratën publike”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Rangellova: Farsë në kohë zgjedhjesh
Në debat nuk morën pjesë krerët e partive shqiptare, të cilët nuk ndajnë këtë bindje. BDI përkrah modelin aktual, ndërsa ASh propozon model me tetë njësi. Zaev i ftoi që t’i rishqyrtojnë qëndrimet. Edhe pse konsideron se ndryshimi i Kodit Zgjedhor duhet të ndodh me konsensus nuk përjashtoi mundësinë që këtë ta bëjë nëse i siguron votat e nevojshme edhe me votim të dyfishtë.
Në ndërkohë, VMRO-DPMNE dyshon në seriozitetin e nismës për ndryshim të Kodit Zgjedhor në periudhë zgjedhore.
“Nëse kjo është farsë, ju faleminderit, nuk do të marr pjesë herë tjetër, dhe nëse nuk është farsë, propozoj që menjëherë të hapim Kodin Zgjedhor dhe të gjithë në Kuvend të diskutojmë se si duhet. Mendoj se qytetarët janë lodhur nga ajo që dy - tre liderë të vendosin për shtetin tonë”,- tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova.
Deputetët e partive të bashkësive më të vogla në parim janë pro modelit me një njësi zgjedhore, por kërkojnë vende të garantuara në Kuvend. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor të ndodh pas regjistrimit të popullsisë për të parë përbërjen etnike të popullsisë në përqindje dhe për të përcaktuar pragun.
SHPËTIM NUREDINI
