Maqedoni
Projekti për pajisjen e helikopterëve, Janushev: Grabitje e re e qeverisë në ikje
05.11.2019 18:19
Opozita pretendon se projekti me partneritet publiko-privat për pajisjen e helikopterëve....

Opozita pretendon se projekti me partneritet publiko-privat për pajisjen e helikopterëve për ndihmën e shpejtë mjekësore është një grabitje e re nga ana e, siç thonë, e Qeverisë në ikje. Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Janushev, thotë se marrëveshja me firmën e sapoformuar “Sarhams” është nënshkruar në bazë të një studimi të fizibilitetit, i cili është përgatitur nga një inxhinier i makinerisë dhe parasheh shpenzimin e 9 milion eurove në vit dhe kjo do të zgjasë në 8 vitet e ardhshme, me pilot të huazuar nga MPB dhe ARM.
“Çmimi i kontratës së propozuar është 9 milion euro në vit për një afat kohor prej 8 vitesh. Pra, nuk është çështje disa mijëra euro, por prej 72 milion eurosh që Zoran Zaev po përpiqet të fshehë. Ajo që është edhe më skandaloze është ajo për të cilën paguhen dhe ku do të paguhen. Përkatësisht, studimi nuk përmend koston e fluturimit me këto helikopterë, as nuk përmend nëse kompania do të jetë e detyruar të kryejë një numër të caktuar fluturimesh për 9 milion euro në vit. Prandaj, lind pyetja se çfarë do të paguajmë për 9 milion euro në vit, veçanërisht kur shikojmë kushte të tjera në studimin e fizibilitetit”,- deklaroi Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
Por, nga ana tjetër, si kryeministri Zaev ashtu dhe pronari i Kompanisë, Sasa Jakoviç, i cili ka një kompani të ngjashme në Suedi, argumentojnë se ndihma e helikopterit mjekësor nuk do t'u kushtojë qytetarëve asnjë denarë. Marrëveshja do të nënshkruhet muajin e ardhshëm, pa detaje në lidhje me angazhimet e partnerit ose kush do të blejë helikopterët e specializuar, të cilët, sipas studimit të fizibilitetit, kushtojnë midis 10 milion dhe 15 milion euro për secilin helikopter.
Nga ana tjetër, nga VMRO-DPMNE kanë akuzuar zyrtarët e LSDM-së dhe të Qeverisë aktuale se kanë shkaktuar vonesa të shumta në përfundimin e autostradës Gostivar – Ohër, e cila është lënë ashtu që nga koha e largimit të VMRO-DPMNE-së nga Qeveria.
FITIM KRYEZIU
