Ekspertët: Të ndërpriten investimet joproduktive
Projektet qeveritare, të cilat janë investime joproduktive, duhet të ndërpriten në mënyrë sa më të shpejtë dhe duhet të bëhet një rivlerësim real i asaj se si investohen dhe si shpenzohen financat publike.........

Kështu thotë ekonomisti, Bilal Kasami, sa i përket strategjisë qeveritare për rritjen e prodhimit bruto vendor. Sipas tij, në Maqedoni gjatë 10 viteve të fundit dominojnë investimet joproduktive, të cilat në aspekt afatgjatë do të krijojnë kosto shtesë për buxhetin shtetëror.
“Këto 10 vitet e fundit, dominojnë investimet joproduktive në Maqedoni. Që nga viti 2006 – 2007, me promovimin e projektit “Shkupi 2014” janë investuar mjete të mëdha financiare për rrethanat e Maqedonisë, të cilat në aspekt afatshkurtër kanë dhënë efekte pozitive, por në aspekt afatgjatë këto investime do të krijojnë edhe një barrë për sektorin real, për shkak se këto investime janë investime joproduktive, të cilat në të ardhmen do të gjenerojnë kosto shtesë për buxhetin shtetëror”- deklaroi ekonomisti, Bilal Kasami.
Sipas Kasamit, qeveria duhet të përqendrohet sa më shumë në tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e zonave të lira ekonomike.
“Mendoj se qeveria duhet definitivisht të ndërpresë çdolloj investimi joproduktiv dhe të merret më seriozisht me investimet nëpër zonat industriale teknologjike dhe mendoj se qeveria duhet ta ecë përpara këtë projekt dhe projektet në përgjithësi që kanë të bëjnë me investime në sektorin e kulturës, të cilat definohen si projekte joproduktive, duhet të ndërpriten sepse Maqedonia nuk ka kapacitet ekonomik që të bëjë investime të tilla”- tha Kasami.
Ekonomisti, Bilall Kasami, thotë se çdo rritje e investimeve, si e atyre publike dhe e atyre private, do të na çojë në një rritje direkte bruto të brendshme, me çka edhe do të krijohet stabilitet më i madh ekonomik. (Besim Abdullai, TVM2)