“Dita botërore e fëmijëve me çrregullim në rritje”

19.09.2014 16:41

Prindërit e fëmijëve të cilët kanë çrregullim në rritje nuk duhet ta fshehin atë, fëmija duhet dërguar në kurim, pasi është sëmundje që shërohet dhe një ditë edhe ata do të jenë si të gjithë të tjerët.....

Në “Ditën botërore të fëmijëve me çrregullim në rritje” janë këshilluar prindërit, të cilëve sot iu tregua se në raste të tilla nuk bëhet fjalë për gjatësinë, por për shëndetin e fëmijëve.

“Shoqata ka bërë të mundur që t’i zvogëlojë harxhimet e prindërve dhe të trajtojë këtë sëmundje, me qëllim që të intervenohet në kohë. Duke marrë terapinë në kohë ka efekte pozitive në shëndetin e fëmijëve, prandaj prindërit nuk duhet të ngurojnë në këtë drejtim dhe të fshehin gjendjen e fëmijës së tyre”- deklaroi kryetari i Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve me Sëmundje Endokrinologjike, Aleksandar Petrovski.

“Sëmundja duhet të kurohet pasi është shëruese. Terapia realizohet në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, Reparti për Endokrinologji, si institucion japim përkrahje, duam trajtim të hershëm, me qëllim që të vijë deri te shërimi”- tha  Olivera Zafirovska nga Instituti për Sëmundje të Mushkërive(Kozle).

100 fëmijë me çrregullime në rritje janë në terapi hormonale, ndërkohë harxhimet i mbulon çdo vit Fondi për Sigurim Shëndetësor.

“Bëhet fjalë për një terapi të shtrenjtë, megjithatë paratë në këtë rast janë të drejta dhe në vendin e duhur, pasi bëhet fjalë për një terapi në kontinuitet dhe të shpeshtë, e cila ka në pyetje jo vetëm gjatësinë, por edhe gjendjen fizike dhe psikike të tërë organizmit të fëmijës, gjë që mundëson zhvillim normal të tyre”- tha drejtoresha e Fondit për Sigurim Shëndetësor, Maja Parnaxhieva-Zmejkova.

Apelet vijnë pasi shumë prindër e fshehin se fëmijët e tyre kanë çrregullim në rritje dhe nuk kërkojnë ndihmë, gjë që përkeqëson shëndetin e fëmijës. Por, për të zbuluar nëse fëmijët kanë ngecje në rritje, gjatësia e fëmijëve duhet matur rregullisht, për të parë a korrespondon ajo me moshën e fëmijëve. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)