Maqedoni
Projektet e financuara nga BE, mbështetje për vlera europiane në komuna
06.11.2019 16:14
BE është i pranishëm në vend me projekte, qëllimi i të cilave është t’i bëjë qytetarët...

BE është i pranishëm në vend me projekte, qëllimi i të cilave është t’i bëjë qytetarët të ndjehen dhe të jetojnë si europianë. Me 100 milion euro donacione në vit, BE është donator më i madh në vend dhe ndihmat do të vazhdojnë, premton euroambasadori Zhbogar.
“BE është donatori më i madh i vendit ku donon 100 milion euro në vit. Ne na duhet përkrahja e nëpunësve komunalë, ata duhet t’i ndihmojnë kryetarët e komunave që t’i realizojnë këto projekte, me qëllim që në çdo komunë të shihen vlera europiane. Bashkërisht do të përpiqemi për të mbajtur optimizmin dhe motivimin si dhe t’i realizojmë të gjitha këto projekte”,- tha euroambasadori, Samuel Zhbogar.
Momentalisht janë aktive 91 projekte për bashkëpunim ndërkufitar të financuara nga BE. Megjithatë projektet duhen përmirësuar e zgjeruar dhe duhen mbledhur fonde të reja.
“Mjetet janë të ndara për sigurim të mjedisit jetësor, trashëgimisë kulturore, përkrahje për sipërmarrësinë, kushtet mjekësore dhe shumë fusha të tjera”,- tha ministri i pushteti lokal, Goran Milevski.
“Pjesa e dytë e ngjarjes do të shpjegojë pikat qendrore të BE-së në komuna dhe ideve të reja që synon të afrojë Bashkimin më pranë qytetarëve dhe t'u mundësojë atyre që të punojnë më afër së bashku. Kjo do të tregojë jo vetëm atë që është në dispozicion të vetë komunave, por edhe se si të arrijnë të gjithë palët e interesuara”,- tha drejtori i Delegacionit të BE-së, Nicola Bertolini.
Punëtoria është e fundit në një seri punëtorish të mbajtura në 25 komuna dhe synon të njohë publikun e gjerë dhe komunat në rajonin e Shkupit me instrumentet e financimit të BE-së.
GAZMEND REXHEPI
