Maqedoni

Jovanovskit nuk i ndahen gjykimet, spitali i kërkon 10 mijë eurot e papaguara

06.11.2019 17:00

Bojan Jovanovski - Boki 13, krahas aktakuzave të deritanishme në rastin “Zhvatja”...

Bojan Jovanovski - Boki 13, krahas aktakuzave të deritanishme në rastin “Zhvatja”, përballet edhe me një padi të ngritur nga spitali privat “Acibadem Sistina” në Shkup, për mosshlyerje të borxhit me vlerë prej 634.251 denarëve për realizimin e një intervenimi kirurgjik gjatë të cilit ka ngushtuar lukthin.

Sot në Gjykatën Themelore Civile në Shkup u paraqitën Aleksandar Mihajlovski - avokat i Spitalit privat, i cili theksoi se fatura për shërbimet e kryera i është dorëzuar Bojan Jovanovskit në muajin prill, por nuk është paguar.

Avokatja mbrojtëse, Jelena Simiç, tha se nuk ka pasur mundësi të kontaktojë me palën dhe nuk ka njohuri se a është i njoftuar i akuzuari për tërheqjen e autorizimit nga ana e shoqatës së saj më 24 tetor, pasi që nuk kishin mundësinë të realizojnë asnjë lloj kontakti me klientin e tyre që ndodhet në paraburgim.

Gjykatësja, Liljana Zafirovska Petrvska, tha se seanca shtyhet për në dhjetor, ndërsa për këtë do t’i dorëzohet ftesë Jovanovskit në burgun e Shutkës.

Në ndërkohë, derisa Boki 13 ndodhet në paraburgim, vazhdimisht ankohet për probleme shëndetësore si pasojë e intervenimit në fjalë që, sipas tij, i rrezikojnë jetën. Nga raportet mjekësore vërtetohet se situata e tij nuk është e tillë. 

Ndryshe, Boki 13 së bashku me Katica Janevën dhe Zoran Milevskin akuzohen për lëndën “Zhvatja” në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion të ngritur nga Orce Kamçev, i cili është themelues dhe kryetar i Këshillit të Drejtorëve të Spitalit Privat “Acibadem Sistina”.  

LEUNORA KALIQI