Maqedoni

Bashkëpunimi opozitar shqiptar, Kasami: Jo me partitë që janë pjesë e qeverisë

06.11.2019 17:10

Lëvizja Besa është e gatshme për një bashkëpunim ndëropozitar....

Lëvizja Besa është e gatshme për një bashkëpunim ndëropozitar. Por, kreu i saj, Bilall Kasami, e ka bërë të qartë në “Argument” në TVM2, se në asnjë mënyrë nuk do të pranonte që në këtë bashkëpunim opozitar të përfshihen edhe partitë që janë pjesë e Qeverisë. Megjithatë, koalicionimi eventual mund të vihet në diskutim vetëm nëse partitë opozitare konstatojnë se  nuk janë të gatshme që të vetme ta mposhtin BDI-në. 
 
“Nëse ne duam që pjesë të këtij bashkëpunimi t’i bëjmë edhe partitë të cilat edhe sot e asaj dite janë bashkë në Qeverinë e BDI-së, atëherë ne votuesin opozitar duhet ta përgatisim se përse ne duam që të jetë e këtij bashkëpunimi edhe një parti e Qeverisë. Ende vlerësoj se nuk i kemi ekslautuar të gjitha mundësitë si të pastër opozitarë, që të vijmë tek konstatimi se na duhen edhe partnerë të tjerë që të forcojmë bllokun e partive dhe gjithë aktorëve të cilët duan ta sfidojnë BDI në zgjedhjet e 12 prillit”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
 
Kasami: Na duhet platformë fituese, jo vetëm koalicion
 
Për Kasamin, qëllimi i një bashkëpunimi të tillë nuk duhet të jetë vetëm mposhtja e BDI-së në zgjedhje, por krijimi i një platforme e cila do të inkorporohej në platformën e qeverisë së re.
 
“Nëse ne arrimë të ndërtojmë një platformë fituese dhe nëse arrijmë që rreth asaj platforme fituese të grumbullojmë kuadro të cilët kanë kapacitet moral, profesional dhe kanë vullnet, vetëm atëherë do të bëjmë një ndryshim për të mirë, që kur të ulemi me partinë maqedonase për të biseduar për Qeveri të qëndrojmë fuqishëm rreth asaj platforme”,- tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
 
Megjithëse në vazhdimësi flitet për një bashkëpunim opozitar, nga pothuajse të gjitha partitë opozitare deklarohen se ende është herët për një vendim përfundimtar. Për këtë presin afrimin e zgjedhjeve. BDI ka deklaruar prerë në më shumë raste se në zgjedhje del e vetme kurdo që të mbahen dhe ka ftuar opozitën të bashkohet në një front të vetëm, me qëllim të mosshpërndarjes së votës shqiptare.  
 
FITIM KRYEZIU