Maqedoni
Rritja e pagave në arsim, ekzekutivi pa vendim për kërkesat e SAShK-ut
06.11.2019 17:21
Edhe përskaj pritjeve që Qeveria në seancën ku debatohet buxheti për vitin e ardhshëm....

Edhe përskaj pritjeve që Qeveria në seancën ku debatohet buxheti për vitin e ardhshëm të vendosë edhe për kërkesat e SAShK-ut, një gjë e tillë nuk ndodhi. Për kërkesën e Sindikatës për rritjen e pagave është debatuar, por nuk është sjellë vendim përfundimtar, thonë nga Qeveria. Seanca është ndërprerë pa u miratuar buxheti dhe e njëjta do të vazhdojë javën që vjen, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
“Qeveria e RMV-së në seancën e 163 hapi debatin për propozim buxhetin për vitin 2020. Ministrat prezantuan programet të cilat duhet të financohen nga buxheti për vitin e ardhshëm dhe sollën vendim që propozim buxheti për vitin 2020 si dhe propozim buxheti për realizimin e buxhetit të RMV-së për vitin 2020 të vërtetohen në seancën e ardhshme të Qeverisë, e cila do të mbahet javën e ardhshme”,- thuhet në komunikatën e Qeverisë.
SAShK-u të enjten vendim për hapat e mëtejshëm
SAShK mblidhet të enjten për të vendosur nëse do të aktivizojë ose jo bojkotin e paralajmëruar. Kështu paralajmëroi një ditë më parë kreu i Sindikalistëve të Arsimit.
“Ne kemi vendim aktiv për grevë që ende vlen dhe nëse nuk na e tregojnë vendimin, ne të enjten kemi seancë të Këshillit të SAShK-ut ku ose e vërtetojmë vendimin për grevë ose e tërheqim të njëjtin në varësi të ofertës konkrete”,- tha kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.
Numri më i madh i anëtarësisë së SAShK-ut vlerëson se rritja e pagave duhet të fillojë nga muaji janar, por si kërkesë e dytë e parashtruar është edhe rritja më e madhe e pagave se 10 për qind. Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, nga SAShK-u kanë paralajmëruar grevë gjenerale në arsim, e cila do mbahej nga e hëna.
FLUTURA LATIFI
