Gjobat në qiell, rrogat në tokë
Gjobat, dënimet në trafik që cakton shteti nuk korrespondojnë me rrogat që merren në vend......

Gjobat në Maqedoni, në raport me rrogën mesatare janë ndër më të lartat në rajon. Rroga mesatare në Maqedoni është 340 euro, ndërsa gjobat në trafik arrijnë deri në 500 euro.
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se gjobat nuk korrespondojnë me realitetin në vendit tonë dhe se ndodh që të marrin hua për të paguar dënimin, sepse paga e tyre nuk mjafton. Sipas tyre, gjobat janë në qiell e rrogat në tokë.
“Jo që janë të larta dënimet, por janë ekstrem të larta, nuk mundet tani të jetë 300 euro dënimi, ndërsa unë rrogën e kam 10 mijë denarë dhe plus nuk merret rroga rregullisht”- deklaroi një qytetarë.
“Varet nga natyra e kundërvajtjes, për disa shkelje dënimet duhet të jenë edhe më të larta, por për disa shkelje mendoj se nuk korrespondojnë me realitetin në Maqedoni. Lartësia e dënimeve duhet t’i detyrojë vozitësit që mos të përsërisin veprën, por edhe të mund të paguajnë dënimet”- tha një qytetarë.
“Më ndaluan mua për tejkalim të shpejtësisë dhe më dënuan 300 euro, mu desh që të shkoj të marr hua te një mik që të paguaj gjysmë e dënimit. Gjithmonë na krahasojnë me shtetet evropiane, thonë dënimet atje janë të larta, por asnjëherë nuk na tregojnë sa pagë mujore marrin ata e sa ne, e pastaj të bëjnë kalkulimet”- u shpreh një qytetarë.
Ndërkohë, drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore, thotë se kohët e fundit gjithnjë e më shumë viktima janë të rinjtë, të cilët nuk e kuptojnë që makina është një “armë” shumë e fuqishme.
Ai thekson se përveç që nuk respektohen kufijtë e lejuar të shpejtësisë dhe nuk evitohet përdorimi i alkoolit, por është rritur edhe numri i të rinjve që ngasin makinën nën ndikim të drogës.
“Është e trishtuar kur në autopsi sillet një i ri që ka humbur jetën si pasojë e një sekondë pakujdesie. Të gjithë këta të rinj janë viktima më të shpeshta në aksidentet rrugore, kanë humbur jetën për shkak të keqpërdorimit të forcës së automjetit. Por, nuk është numri i vogël as i viktimave të pafajshëm, të cilët pësuan për shkak të papërgjegjshmërisë së dikujt tjetër”- deklaroi drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore, Aleksej Duma.
Numri i viktimave si pasojë e aksidenteve rrugore sa vjen e rritet edhe përkundër dënimeve të larta dhe fushatave për disiplinimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.
Statistikat e MPB-së për fatkeqësitë më të mëdha në trafik për 6 muajt e parë të vitit 2014-të tregojnë se aksidentet me pasoja më të rënda janë 1716, ku jetën e kanë humbur 71 person, kurse 1519 prej tyre janë lënduar.
Vitin e kaluar është shënuar rekordi më i lartë negativ, gjegjësisht 198 viktima nga fatkeqësitë në trafik. (Sanije Kasami, TVM2)
