Maqedoni

I skadon pasaporta, Kamçev kërkon pasaportë të re

06.11.2019 18:24

Biznesmeni i dyshuar, Orce Kamçev, këmbëngul sërish që Gjykata Penale t’i lëshojë një pasaportë të përkohshme, meqë afati i pasaportës aktuale po skadon....

Kërkesa është dërguar tashmë edhe në prokurori që të premten. Përveç Kamçevit, pasaportë të re kërkon edhe Cvetan Pendelevski, një ndër të akuzuarit e tjerë për rastin. Vendimi nëse Kamçevit do t’i lejohet marrja e këtij dokumenti të përkohshëm udhëtimi është në duart e ish prokurores speciale, Lile Stefanova, që ka drejtuar hetimet kundër Kamçevit në kuadër të PSP-së, e tashmë e ka rimarrë rastin në kuadër të Prokurorisë së rregullt.
 
Paraprakisht, Kamçevi kërkoi pasaportë të përkohshme 8 mujore, por gjykata ia lejoi vetëm një dokument 6 mujor, që skadon të premten. Atëherë leje për këtë pasaportë dha vetë ish kryetarja e PSP-së, Katica Janeva, dhe ish prokurorja speciale Stefanova u përkujdes që ta bëjë të qartë për mediat se as nuk ka nënshkruar ndonjë vendim për rikthim të dokumentit të udhëtimit e as ndonjë vendim tjetër për Kamçevin. Nuk dihet nëse gjykata do t’i japë ose jo edhe një vendim pozitiv Kamçevit për të udhëtuar jashtë vendit në një kohë kur rasti
 
“Perandoria” ka nisur nga e para. Në të 12 persona dyshohen për larje parash, sipas vlerësimeve, kanë bërë shtetit një dëm prej 10 milionë eurosh. Orce Kamçev është personi që zbuloi skandalin me rastin “Zhvatja”, në të cilin i akuzuari, Bojan Jovanovski, dyshohet se i ka marrë biznesmenit 1.5 milion euro me premtimin se do të ndikojë tek kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, për të lehtësuar hetimet kundër tij. 
 
REJHANE BUSHI METAJ