Maqedoni

Mosmarrja e datës, Byrnes: Jo arsyetim për mosbërjen e reformave

06.11.2019 18:49

Ambasadorja amerikane në Maqedoni, Kejt Meri Berns, shpreson që mosdakordimi për dhënien e datës nga BE...

Ambasadorja amerikane në Maqedoni, Kejt Meri Berns, shpreson që mosdakordimi për dhënien e datës nga BE për fillimin e bisedimeve me RMV-në, të mos shfrytëzohet si arsyetim nga autoritetet e vendit për mosrealizimin e reformave të nevojshme. 
 
Sipas saj, është e rëndësishme të potencohet se vendimi i Bashkimit Evropian për fillim të negociatave nuk ishte realisht vendim negativ, se ekziston ende shpresë për përgjigje pozitive.
 
“Unë e di se në Maqedoninë e Veriut tetori do të mbahet mend si muaji i zhgënjimit, ishte një zhgënjim i madh edhe për ne kur Bashkimi Evropian nuk i dha datë Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave, ne gjithmonë kemi qenë të zëshëm dhe kemi përkrahur integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, sepse konsiderojmë se është gjëja e duhur që duhet bërë. Mosdhënia e datës në tetor kishte shumë pak të bëjë me Maqedoninë e Veriut, kurse gjithçka ishte si pasojë e vetë Bashkimit Evropian dhe këtë nuk e them vetëm unë, por edhe shumë shtete anëtarë të Bashkimit Evropian”,- tha ambasadorja e ShBA-ve në RMV, Kate Marie Byrnes.
 
Është shumë e rëndësishme të theksohet se ajo çka ndodhi në tetor nuk ishte një vendim negativ apo pozitiv për shtetin, madje nuk kishte vendim fare, ata thjeshtë nuk arritën të dakordohen ndërmjet vete.
 
Ne shpresojmë shumë që në muajt në vazhdim do të binden të gjitha shtetet anëtarë se Maqedonia e Veriut është gati dhe meriton të fillojë negociatat për anëtarësim në Unionin Evropian.