Maqedoni
Romë, Pendarovski takoi homologun italian Matarella
07.11.2019 14:39
Këshilli për Punë Përgjithshme ka pranuar kërkesën e Italisë për të rishqyrtuar çështjen e Maqedonisë së Veriut dh Shqipërisë...

Këshilli për Punë Përgjithshme ka pranuar kërkesën e Italisë për të rishqyrtuar çështjen e Maqedonisë së Veriut dh Shqipërisë për nisjen e negociatave në një samit të jashtëzakonshëm në Komisionin Evropian.
Këtë konfirmim presidenti Pendarovski e ka siguruar nga homologu i tij italian, Sergjio Matarella, në takimin e tij në Romë. Italia përkrah fuqishëm fillimin e bisedimeve të BE-së me Shkupin dhe Tiranën, përcjell Pendarovski.
“Do të ketë samit të jashtëzakonshëm në Këshillin për Punë të Përgjithsme në Komisionin Evropian, i cili i përgatit samitet kryesore të shefave të shteteve anëtare të BE-së në Bruksel, ku do të diskutohet vetëm një çështje: integrimi dhe fillimi i bisedimeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”,- deklaroi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
Duke folur për sigurinë rajonale, dy bashkëbiseduesit janë pajtuar në qëndrimin se nuk duhet të ketë ide të ndryshimeve të kufijve në rajon.
Por, nëse legjitimohet një gjë e tillë, Pendarovski thotë se do të duhet të jetë e nevojshme siguria ndërkombëtare për të mbrojtur palëkundshmërinë e sovranitetit territorial të vendeve fqinje.
“Në raport me çështjet rajonale që tangojnë edhe sigurinë rajonale edhe kontinentale, patëm qëndrime të njëjta. Qëndrimi im, i presidentit italian, por edhe i dy shteteve, është se nuk duhet të ketë eksperiment me ide për ndryshime kufijsh, por edhe eventualisht nëse vjen kjo situatë, duhet të ketë siguri ndërkombëtare nga faktorë kryesorë që do të garantojnë se nuk do të vihet në pikëpyetje integriteti territorial i vendeve përreth”,- tha presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
Pendarovski nga Roma ka ripërsëritur se për Maqedoninë e Veriut nuk ka alternativë tjetër përpos integrimit të plotë në NATO dhe BE.
Rruga eurointegruese e RMV-së do të diskutohet edhe të martën në Paris mes kryetarit të vendit Pendarovski dhe atij francez, Makron.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
