Botë
Kosovë, KQZ shpall rezultatet përfundimtare, konfirmohet fitorja e Vetëvendosjes
07.11.2019 15:20
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 6 tetor të këtij viti.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve duke siguruar 32 deputetë, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës me 25 deputetë, koalicioni AAK-PSD - 14 deputetë dhe Lista Serbe - 10 deputetë dhe dhjetë deputetë në kuvendin prej 120 deputetësh do t’u takojnë bashkësive më të vogla etnike.
Jashtë kuvendit mbeten Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe AKR e Bexhet Pacollit, të cilat ishin në koalicion por nuk kanë arritur ta kalojnë pragun prej 5%.
“LVV ka fituar gjithsej 220 8011 vota apo 26.159%, LDK 206 458 vota apo 24.458%, PDK ka 178 645 vota apo 21.163%, AAK PSD 968 83 vota apo 11.477%, Lista Serbe ka 570 15 vota apo 6.754%”,- deklaroi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Më i votuari në këto zgjedhje ishte kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka marrë 183 mijë e 868 vota, i ndjekur nga Vjosa Osmani e LDK-së me 176 mijë e 188 vota.
Në vendin e tretë është radhitur Kadri Veseli i PDK-së me 146 mijë e 763 vota, ndërsa i katërti është radhitur Ramush Haradinaj i AAK-së me 75 mijë e 917 vota.
Numri i përgjithshëm i votuesve ka qenë një milion e 961 mijë e 213 votues, ndërsa numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës ishte 826 mijë e 937 votues apo 44,72%. 50 mijë votues kanë votuar jashtë Kosovës.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare pritet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re partisë fituese, përkatësisht Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërsa kjo e fundit tanimë ka filluar bisedimet për formimin e qeverisë së re me LDK-në, e cila po ashtu ishte në opozitë, ndërsa në këto zgjedhje u radhit partia e dytë.
GYLTENE SINANI
