Maqedoni

Zaev: Me mini Shengenin ballkanik, synojmë t’ua lehtësojmë jetën qytetarëve

07.11.2019 16:05

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Ohër pritet të vazhdojnë bisedimet për vendosjen e të ashtuquajturit “Shengeni i vogël”...

Në takim janë ftuar për pjesëmarrje 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Republikën e Kosovës, bëri të ditur kryeministri, Zoran Zaev, i cili në cilësinë e nikoqirit të takimit pret që ai të rezultojë me intensifikimin e bashkëpunimit shumëpalësh. 
 
“Takimi që do ta kemi në Ohër është një punë e madhe, u kemi dërguar ftesë të gjitha gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, besoj se do të vijnë të gjithë, të kenë përfaqësuesit e tyre. Pres edhe një hap drejt avancimit të bashkëpunimit shumëpalësh mes të gjitha gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një hap më shumë, në më shumë vende të udhëtohet me letërnjoftim, të lehtësojmë transportin e mjeteve transportuese dhe udhëtarëve në vendkalimet tona kufitare. T’i pranojmë dokumentet mes vete, t’ua lehtësojmë jetën qytetarëve në Ballkanin Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit dhe atë që paraqet agjendë evropiane ekonomike”,- deklaroi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
 
Takimi i Ohrit më 10 nëntor në fakt paraqet vazhdimësi të takimit në Novi Sad muajin e kaluar kur kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan marrëveshjen e ashtuquajtur mini Shengeni ballkanik.  
 
Kryeministri Zaev komentoi edhe takimin e paralajmëruar të presidentit Pendarovski me atë francez Makron, të cilin kryeministri e sheh si një mundësi e mirë  që presidenti francez të mësojë më shumë për ne dhe për seriozitetin e pritshmërive tona për integrim të vendit në BE.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI