Maqedoni

SAShK-u pezullon vendimin për grevë. Nesër pritet të arrihet marrëveshje mes SAShK-ut dhe MASh-it

07.11.2019 16:48

SAShK ngrin vendimin për grevë gjenerale në arsim, që ishte e paralajmëruar për 11 nëntor...

Sipas kreut të Sindikatës, Jakim Nedellkov, SASHK-u vendosi të ngrijë grevën deri në marrjen e ofertës konkrete nga MASh, duke i dhënë mundësi dialogut konstruktiv social.
 
“Në seancën  e sotme, Këshilli i SAShK-ut solli vendim që ta ngrijë vendimi për grevë gjenerale për 11 nëntor 2019. Kjo bazohet në analizat që MASh dhe ministri na i dorëzoi dhe kjo është për rritjen e pagave nga janari i vitit 2020, janë të nevojshme edhe disa ditë nga ministri dhe MASh që përfundimisht të sigurohen mjete për plotësimin e kërkesave tona”,- tha kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.                                                                 
 
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi ftoi, SAShK-un në takim të premten, siç u shpreh ai, në raundin e fundit të negociatave konstruktive, ku do të merret edhe vendimi final për pagat.
 
“Përfaqësuesit e SAShK-u i ftoj që nesër në hapësirat e MASh-it të zhvillojmë raundin e fundit të bisedimeve dhe në ndërkohë besoj se ato dilema të pakta dhe shqetësime të pakta që i kemi në aspekt të sigurimit të mjeteve do të arrijmë t’i precizojmë dhe sqarojmë gjatë ditës së sotme”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.                                                             
                                 
Edhe kryeministri Zaev paralajmëroi se ministri i arsimit Ademi nesër pritet të njoftojë marrëveshjen me SAShK-un për rritjen e pagave të arsimtarëve.                                                                                                        
“Ministri i Arsimit dhe Shkencës negocion me ministren e Financave dhe këtu iu dalin në ndihmë edhe sektorët tjerë që bëjnë lëshime për shkak se buxheti është i caktuar dhe të gjithë shohim që prioritetet që i kemi t’i kemi në rend të parë, gjithsesi vendimin duhet ta kumtojë nesër ministri i resorit, i cili ka negociuar tërë kohën me SAShK-un”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
 
Mësohet se marrëveshja që pritet të shpallet të premten nga SAShK-u dhe MASh-i parasheh rritja e pagave për punonjësit e arsimit të jetë 10 për qind dhe të fillojë nga janari i vitit të ardhshëm.
 
FLUTURA LATIFI