Maqedoni
Gorenca: Ende mësojmë të mirëadministrojmë lirinë
07.11.2019 17:27
Etika buron pikërisht nga nevoja e mirëadministrimit të lirisë që na është dhënë ne si gazetarë...

Ende nuk po dimë ta menaxhojmë këtë liri profesionale, e cila në shume raste ende bie ndesh me ndjenjën etnike dhe problemet e përditshme që nuk na lejojnë të mendojmë me “koka të ftohta”, thotë kryeredaktorja e TVM2, Migena Gorenca.
“Është pak e vështirë të ndash ndjenjën e hollë mes etnikumit dhe profesionalizmit. Ne lajmet i kemi të ndryshme, nëse shikoni lajmet e MTV1 dhe MTV2 nuk janë njësoj, megjithëse jemi një shtëpi televizive. Por, nuk janë njësoj, sepse qytetarëve të cilëve iu drejtohemi nuk kanë probleme të njëjta, e si të tillë nuk mund të kemi qasje të njëjtë për çështje të caktuara. Kur shteti të fillojë të mendojë njësoj për qytetarët e tij, kjo do të reflektohet edhe në shënimet gazetareske”,- tha kryeredaktorja e TVM2, Migena Gorenca.
Raportimi për çështjet që janë me karakter të ndjeshëm duhet të përgatiten me shumë kujdes, vlerëson redaktori i lajmeve Trpçeski.
“Mesazhi im është që edhe përkundër gjithë asaj që kaluam si shtet, si medium, nga pavarësimi e deri sot, përfshirë edhe konfliktin e armatosur dhe raportimi për konflikt të armatosur, në çdo ulje para tastierës, kur shkruhet për tema që prekin çështje etnike, shtypja e shkronjave duhet të jetë e kujdesshme njësoj sikur shkruhet teksti i parë në gazetari”,- tha redaktori në TVM1, Stojan Trpçevski.
Rabisha Muhaxheri - kryeredaktore e programit të pakicave në RTK, vlerëson se sfidat e televizioneve publike janë të ngjashme në vendet e rajonit.
“Sa i përket telasheve të transmetuesve publikë në rajon nga Sllovenia, gjithandej, janë gati problemet e njëjta, sfida të njëjta nga aspekti i mungesës financiare të transmetuesve publikë, por edhe të shkeljes së kodit etik, të censurës, autocensurës, joguximit të mjaftueshëm të gazetarëve që të merren vërtetë me profesionin e tyre”,- tha kryeredaktorja e Programit të Pakicave në RTK, Rabisha Muhaxhiri.
ZEKIRJA MEXHITI
