Anketa: Fqinjët fajtorë pse RM nuk anëtarësohet në BE

19.09.2014 17:59

Rritet numri i qytetarëve që kanë filluar të besojnë se pengesë kryesore për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian janë fqinjët dhe jo mungesa e zbatimit të reformave të nevojshme.......

Përkatësisht, 59 për qind e të anketuarve konsiderojnë se pengesa kryesore që Maqedonia nuk është pjesë e BE-së janë shtetet fqinje, ndërkaq vetëm 29 për qind e të anketuarve vlerësojnë se moszbatimi i reformave vendore është arsyeja kryesore për ngecjen në procesin eurointegrues.

Të paktën kështu ka rezultuar anketa telefonike e Institutit për Demokraci "Societas Civilis"-Shkup, e realizuar prej datës 10 deri më 15 shtator të këtij viti.

Qytetarët, nuk presin asgjë të re as nga Raporti i Progresit për Maqedonisë. Pothuajse çdo i dyti anketues (48 për qind) konsideron se raporti do të jetë i njëjtë sikur vitin e kaluar, ndërsa 28 për qind vlerësojnë se raporti do të shënojë përparim.

Të pyetur në qoftë se javën e ardhshme mbahet referendum për inkuadrim të Republikës së Maqedonisë në BE, 80 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do të votojnë "pro", ndërsa 14 për qind do të votojnë "kundër".

Sipas anketës, pothuajse dy të tretat e të anketuarve ose 63 për qind e përkrahin inkuadrimin e Maqedonisë në BE pa bërë lëshime për emrin e shtetit, ndërkaq vetëm 26 për qind përkrahjen e tillë do ta jepnin edhe krahas ndryshimit të emrit.