Pompeo: Bota të adresojë provokimin bërthamor të Iranit
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ftuar të gjitha vendet që të kundërshtojnë "shantazhin bërthamor"...

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ftuar të gjitha vendet që të kundërshtojnë "shantazhin bërthamor" dhe të ndërmarrin "hapa seriozë për të rritur presionin" ndaj veprimeve bërthamore të Iranit.
Deklaratat e Pompeos erdhën pasi Irani nisi të pasurojë uranium në centralin bërthamor Fordov. Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për reaktorë, por edhe për armë bërthamore.
"Komuniteti ndërkombëtar duhet ta imagjinojë se si do të sillej Irani me armë bërthamore. Shtetet e Bashkuara nuk do ta lejojnë kurrë një gjë të tillë", tha Pompeo, duke e akuzuar Iranin për "dhunë dhe terror" dhe për "minimin e sovranitetit të fqinjëve të tij".
"Është koha tani që të gjitha vendet ta kundërshtojnë shantazhin bërthamor të regjimit dhe të ndërmarrin hapa seriozë për të rritur presionin. Provokimet e vazhdueshme bërthamore të Iranit kërkojnë veprime të tilla", tha Pompeo.
Me pasurimin e uraniumit në Fordov, Irani hoqi dorë edhe nga një pjesë e marrëveshjes bërthamore, të arritur në vitin 2015 me fuqitë botërore.
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, shkroi në Twitter se "falë politikës së SHBA-së dhe aleatëve të saj, Fordov do të jetë së shpejti në funksion të plotë".
SHBA-ja, prejse është tërhequr nga marrëveshja bërthamore në maj të vitit të kaluar, ka vënë sanksione të ashpra ekonomike kundër Iranit. Me marrëveshjen bërthamore, Irani ka rënë dakord që të zvogëlojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve kundër tij.
Nënshkrueset e tjera të marrëveshjes - Franca, Britania, Gjermania, Kina dhe Rusia - kanë bërë thirrje për ruajtjen e marrëveshjes.
