Botë

Francë, fillon evakuimi i migrantëve nga kampet

07.11.2019 19:47

Menjëherë pas vendimit të qeverisë franceze për aplikimin e kuotave për një numër të madh të punëtorëve...

Menjëherë pas vendimit të qeverisë franceze për aplikimin e kuotave për një numër të madh të punëtorëve nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, si dhe pas shqetësimeve që kanë lindur për migrimin, ka filluar herët në mëngjes edhe operacioni i evakuimit të migrantëve të cilët ishin të vendosur në dy kampe të mëdha në verilindje të Parisit.
 
600 policë u angazhuan në rigrupimin dhe sistemimin e 600, gjegjësisht 1200 migrantëve nga dy kampet të cilët me autobusë i bartën drejt vendeve të përkohshme deri sa autoritetet do të kontrollojnë statusin e tyre të migracionit. 
 
“Unë çdoherë e kam thënë se rruga nuk është vend për të jetuar. Është vend i rrezikuar, vend i turpshëm dhe banorët lokalë nuk mund ta pranojnë një vend si Port de La Chapelle të shndërrohet në një vend të tillë”,- theksoi kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo.
 
“Është një operacion i cili i siguron strehim njerëzve, por jo i zakonshëm. Deri më tani, operacione të tilla lejoheshin vetëm për strehimin e migrantëve të cilët jetojnë në kushte të vështira”,- theksoi oficeri i Policisë së Parisit, Didier Lallement.
 
“Ne duam të fitojmë sërish kontrollin e politikave tona të migrimit”, ka theksuar më herët kryeministri francez, Edouard Philippe.
 
Ndryshe, Franca është vetëm një nga disa shtetet evropiane që është përballur me fluks të migrantëve që kanë arritur në këtë shtet ilegalisht, andaj qeveria është nën presion për të reaguar nga ekstremistët e djathtë të partisë së Marine Le Pen.
 
Përveç Francës, edhe shumë shtete tjera kanë ashpërsuar politikën e tyre ndaj migrantëve, në përgjigje të fluksit me të cilin është përballur blloku evropian më 2015.
 
LEUNORA KALIQI