Rama: Të konsolidojmë rajonin ndaj kanosjeve terroriste
Kryeministri, Edi Rama, ka sugjeruar që vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë, të anëtarësohen në NATO, si një nga mënyrat më efikase për të luftuar terrorizmin.......

Deklarata e Ramës erdhi dje nga foltorja e parlamentit shqiptar, ku Rama shprehu shqetësimin për përhapjen në masë të forcave terroriste dhe foli për vendosmërinë për të frenuar këtë fenomen.
“Të shtrënguar nga sulmet që do vijnë në përshkallëzim të koalicionit ndërkombëtar, mercenarët terroristë do të përpiqen të gjejnë strehë në kthim në vendet e origjinës, duke kërcënuar të eksportojnë barbaritë e treguara përditë në Siri dhe Irak. Qëndrimi shqiptar u përmblodh në nevojën për të përfshirë sa më shpejt në NATO vendet e Ballkanit”- deklaroi Rama.
Kryeministri përsëriti qëndrimin e NATO-s në Uells, për të ndërhyrë ushtarakisht në qoftë se siguria e ndonjë prej shteteve anëtare cenohet.
“Duke kërkuar që të përfshihet edhe çështja e pazgjidhur, sipas nesh, e Marrëveshjes së Ohrit, Shqipëria nuk synon ta vështirësojë rrugën e integrimit të këtij vendi fqinj. Absolutisht jo. Ne besojmë se vendosja e standardeve demokratike në marrëdhëniet me shqiptarët e Maqedonisë, duke zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, do të krijojë kushte për një të ardhme të qëndrueshme të Maqedonisë, si dhe një hap në konsolidimin e rajonit ndaj kanosjes së ekstremizmit islamik”- theksoi Rama.
Deklarata e kryeministrit vjen 2 ditë para vizitës së Papës dhe vetëm një ditë pasi në Kosovë u arrestuan 15 persona të akuzuar për nxitje të urrejtjes ndërfetare, 11 prej të cilëve imamë të xhamive të qyteteve kryesore në Kosovë, përfshirë edhe Prishtinën. (Luljeta Ndoka, TVM2)
