Maqedoni

“UNT” organizoi seminarin e dytë, prezantohen shembuj nga veprat e rilindasve

08.11.2019 15:03

Në Universitetin “Nënë Tereza” në seminarin e dytë me temë “Trashëgimia kulturore dhe interkulturore si udhërrëfyes të integrimeve dhe kohëzionit social”...

Në Universitetin “Nënë Tereza” në seminarin e dytë me temë “Trashëgimia kulturore dhe interkulturore si udhërrëfyes të integrimeve dhe kohëzionit social”,- janë prezantuar shembuj nga tradita kulturore, respektivisht nga jeta dhe vepra e rilindasve të cilët kanë trajtuar dhe kultivuar  frymën e respektit të ndërsjellë dhe intekulturalizmin. 
 
“Tek ne shqiptarët termi i interkulturës është mjaftë relativ, që është rezultat i mondjalizimit, është njëlloj rezistence ndaj atij. Jeronim De Rada i lindur më 1914, Pashko Vasa – 1825, Sami Frashëri - 1850 dhe Faik Konica – 1875, do të thotë të katër janë lindur në një shekull dhe të katërtit kanë disa karakteristika, disa cilësi që i bashkojnë në këtë frymën e integrimit dhe interkulturës, interetnicitetit e të tjera”,- tha akademiku, Luan Starova.
 
“Interkultura u shfaq si një ide për të shpaluar një dimension tjetër, jo vetëm për të treguar realitetet tjera dhe sfidat që i kemi, por për të lehtësuar rrugën e integrimeve të brendshme të atij që quhet kohezion social, por edhe atij ndërkombëtar”,- tha rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani.
 
“Mendoj se mjediset kur kemi kulturë homogjene dhe traditë, një shtresore identitare, janë të privuar nga shija e bukur që e krijon diversitetin ku njerëzit njihen përmes dallimeve dhe e vlerësojnë dhe e rishqyrtojnë sistemin e tyre të vlerave, duke u përballur me njëri-tjetrin”,- tha ministri i Kulturës, Hisni Ismaili.     
                                                                                                                             
Respekti i ndërsjellë është bazamenti i një kohezioni social në shoqëri dhe mbetet aktuale edhe në kohën kur ne jetojmë. Universiteti “Nënë Tereza” ka paraparë në këtë seminar të japë kontributin e vet në këtë drejtim, si një dimension themelor të misionit të vet. 
 
REJHANE BUSHI METAJ