PZAP: 100 ankesa pas shpalljes së rezultateve

08.11.2019 15:21

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Kosovës....

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Kosovës, partitë politike kanë parashtruar 100 ankesa te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Partia e Pavarur Liberale ka parashtruar më së shumti ankesa edhe atë 42, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka parashtruar 23 ankesa.

"Deri më tani janë dorëzuar në PZAP, apo subjektet politike apo kandidatët e tyre i kanë dorëzuar gjithsej 100 ankesa. SLS ka dorëzuar më së shumti ankesa - 42, Lidhje Demokratike ka dorëzuar 23, Partia Demokratike ka dorëzuar 12 ankesa, Koalicioni NISMA-AKR-PD ka dorëzuar 6 ankesa, Lëvizja Vetëvendosje 5 ankesa, një parti tjetër serbe PKS ka dorëzua 4 ankesa dhe disa parti të vogla me dy apo një ankesë",- tha Mul Desku nga PZAP.

Paneli Zgjedhor ka kohë 72 orë që t’u japë përgjigje palëve të ankuara. Pas pranimit të vendimit nga PZAP, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve. Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve duke siguruar 32 deputetë, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës me 25 deputetë, koalicioni AAK-PSD 14 deputetë, Lista Serbe 10 deputetë dhe dhjetë deputetë në kuvendin prej 120 deputetësh do t’u takojnë bashkësive më të vogla etnike.

Jashtë kuvendit mbeten Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe AKR e Bexhet Pacollit, të cilat ishin në koalicion, por nuk kanë arritur ta kalojnë pragun prej 5%. (Gyltene Sinani, TVM2)