Maqedoni
Ndotja në Kërçovë, shkaqet e ndotjes dihen, banorët duan zgjidhje
11.11.2019 15:15
Komuna e Kërçovës vlerësohet si njëra ndër komunat më të ndotura në vend....

Komuna e Kërçovës vlerësohet si njëra ndër komunat më të ndotura në vend. Arsyet kryesore të ndotjes janë: Termocentrali i Osllomesë, mbeturinat e shtresuara për vite me radhë në brigjet e lumit të Zajazit, automjetet, ekspansioni ndërtimor dhe rritja e ndotjes nga djegiet në periudhën e dimrit. Ndotjen më të madhe të ambientit jetësor padyshim e shkakton Termocentrali i Osllomesë, ndonëse i njëjti viteve të fundit shumë rrallë vendoset në veprim. Aktivizimi i tij vazhdon të rrezikojë shëndetin e popullatës, sepse sistemi i tij filtrues, sipas ekspertëve, asnjëherë nuk i ka plotësuar kushtet e filtrimit dhe pasojat e sëmundjeve kancerogjene i kanë mbartur banorët.
Gjendjen e rëndojnë edhe shtresat e grumbulluara të mbeturinave në të dyja anët e lumit të Zajazit. Me gjetjen e lokacionit të përkohshëm për hedhjen e mbeturinave, në hapësirat e gërmuara të Termocentralit të Osllomesë, shkarkimi i hedhurinave të qytetit është ndërprerë, por mjekët thonë se mbeturinat që kanë mbetur të shtresuara për një periudhë më të gjatë kohore në vendin e mëparshëm, sjellin pasoja të mëdha shëndetësore. Në ndotjen e ambientit jetësor, ndikim ka edhe mungesa e rrjetit të kanalizimit në disa vendbanime rurale.
Gjatë këtij viti në Kërçovë u realizua një projekt i rëndësishëm ekologjik. Është fjala për stacionin filtrues të ujërave të zeza në Kërçovë, një projekt kapital për mjedisin jetësor i financuar nga BE, që kap shumën prej 8.3 milion euro. Përfaqësuesit e BE-së kanë premtuar investimin prej 13 milion eurosh për sistemet e kanalizimeve në ish komunën e Zajazit dhe të Osllomesë, investime këto që padyshim do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes ekologjike në komunën e Kërçovës.
SHABAN DALIPI
