Vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiç, ASh me ultimatum: Kufiri të hapet deri më 28 nëntor
Aleanca për Shqiptarët me ultimatum deri te qeveria....

Aleanca për Shqiptarët me ultimatum deri te qeveria që të hapë deri më 28 nëntor vendkalimin kufitar Bellanoc-Stançiç, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën. Në të kundërtën, ASh thotë se do të organizojë një marsh protestues.
ASh akuzon BDI-në se po gënjen edhe për pikëkalimin kufitar Llojan-Miratoc, që lidh Republikën e Maqedonisë së Veriut me Serbinë.
“Ky është një premtim që BDI e ka dhënë që nga viti 2011, banorët e këtij rajoni pesë herë radhazi kanë dhënë votën për këtë projekt dhe ende nuk po gjen dritë ky projekt tejet i rëndësishëm për këta banorë. Aleanca për Shqiptarët, sot, nga ky vend, i bënë thirrje qeverisë dhe institucioneve kompetente që nëse deri më 28 nëntor nuk hapet vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiç, atëherë ne do ta organizojmë një marsh protestues të quajtur “Marshi Bellanoc-Stançiç””,- deklaroi Shefik Duraku nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga ajo që regjistroi kamera e TVM2, shihet se aktivitetet për rrumbullakimin e punimeve janë në përfundim e sipër. Nga qeveria në më shumë raste kanë premtuar se hapja zyrtare e këtij vendkalimi kufitar do të bëhet shumë shpejt. (Fatlum Aqifi, TVM2)
