Maqedoni

Shkolla fillore në Vizbeg, Smilevski: Projekti urbanistik është gati, fjalën e ka MASh

11.11.2019 16:35

Komuna e Butelit miratoi projektin arkitektonik urbanistik për ndërtimin e shkollës fillore në Vizbeg....

Procedura e mëtejshme do transferohet deri te MASh, theksoi kreu i komunës, Velimir Smilevski, sipas të cilit, procedurat në komunën e Butelit kanë përfunduar dhe tanimë  i mbetet MASH-it të aplikojë për lejen e ndërtimit.
 
“Procedurën komuna e Butelit do ta transferojë te MASh, sepse pjesën që e kishim ne si komunë e përfunduam dhe shpresoj se për një kohë të shkurtër MASh do të aplikojë për marrjen e lejes së ndërtimit dhe në afat sa më të shkurtër kohor do ta dorëzojmë”,- theksoi kryetari i komunës së Butelit, Velimir Smilevski.
 
Banorët: Premtime çdo vit, shkolla askund
 
Derisa pritet të përfundojnë procedurat, nxënësit vazhdojnë të shkojnë në shkolla larg vendbanimit të tyre dhe prindërit ankohen për mungesë transporti, madje edhe për defekte të shpeshta të autobusit me  numër 18, me të cilin udhëtojnë. Banorët që TVM2 anketoi nuk u besojnë premtimeve të autoriteteve që kanë vite që i dëgjojnë, sepse shkolla nuk duket askund, edhe pse toka për ndërtimin e shkollës fillore është ndarë qysh në vitin 2005.
 
“Tërë ditën në autobus, nga e hëna deri të premten, nuk po kemi edhe autobus, non stop po vonohemi nga një orë në shkollë”,- tha një banor.
 
“Nata është problem, por ashtu vinë e shkojnë, ka pasur zëra 4 - 5 vjet se do behet shkolla në Vizbeg, por e lanë punën në mes, kot është”,- theksoi një banor.
 
“Komuna thotë që do bëhet, por e ndërpresin disa fqinj këtu për shkak të vendit, ngadalë po shkon, ndoshta do të bëhet dikur, por fëmijët po heqin të shkojnë prej këtu në Shutkë”,-  u shpreh një banor.
 
“Pesë herë në ditë po duhet të udhëtojmë deri në Xhon Kenedi pas fëmijëve, të gjithë shqiptarë jemi, një shkollë nuk e kemi”,- potencoi një banor.
 
MASh: Sapo të marrim shkresën, nisim procedurat
 
Të pyetur për këtë çështje, nga MASh thonë se “Komuna e Butelit duhet të njoftojë MASh-in për miratimin  e projektit urbanistik arkitektonik. MASh, pas marrjes së shkresës, mbledh dokumentacionin e nevojshëm dhe aplikon në komunën e Butelit për marrjen e lejes së ndërtimit, e nevojshme për fillimin e punimeve ndërtimore”,- thuhet në komunikatën e MASh-it. 
 
Deri në ndërtimin e shkollës në Vizbeg, rreth 800 nxënësve u mbetet të udhëtojnë çdo ditë deri në shkollat e Çairit dhe Shuto Orizares me minibus apo transport vetanak. 
 
FLUTURA LATIFI