Maqedoni

Shoferi i “Durmo Turs” ndryshon deklaratë: Nuk kam dëshmuar për manipulim të takografëve

11.11.2019 17:03

Me dëshmi tërësisht të ndryshme nga ato të dhënë në hetuesi, ish shoferi i “Durmo Turs”, Besnik Halili...

Me dëshmi tërësisht të ndryshme nga ato të dhënë në hetuesi, ish shoferi i “Durmo Turs”, Besnik Halili, në seancën e kësaj të hëne për rastin e aksidentin tragjik në Llaskarcë, atij nuk i kujtohej nëse takografi i autobusit që pësoi fatkeqësinë ishte ose jo i manipuluar.
 
Prokurori i lëndës përkujtoi se në hetuesi shoferi ka pranuar se në autobus ka pasur takograf që ka funksionuar me sustë, me të cilën ka mund të ndikohet në shpejtësi.
 
Me këtë, sipas prokurorit publik, dëshmitari jep dëshmi të rreme, që është në kundërshtim me Kodin penal. Halili mohoi të ketë dhënë dëshmi të tillë në hetuesi dhe e cilësoi procesverbalin si jo të saktë. 
 
“Nuk e kam lexuar procesverbalin. Unë e di se çfarë kam thënë, por nuk e di se çka kanë shkruar aty. Unë i kam dërguar autobusët në servis, nëse takografi është dashur të kalibrohet gjatë viti 2007-2013, por nuk e kam të njohur nëse është montuar manipulator, unë nuk e kam kërkuar një gjë të tillë",- tha ish shoferi i “Durmo Turs”, Besnik Halili.
 
Prokurori publik theksoi se në seancën e kaluar ka takuar dëshmitarin teksa bisedonte me të akuzuarin, Remzi Miftarin, që ka qenë përgjegjës i parkut transportues në Kompaninë “Durmo Turs”.
 
Ndaj kësaj bisede ka reaguar edhe policia, pasi, sipas Ligjit për procedurë penale, dëshmitari dhe i akuzuari nuk duhet të takohen. Dëshmitari i radhës ishte Goran Nastevski, i cili ka punuar në kompaninë “Durmo Turs” dhe i ka dërguar autobusët për kalibrim dhe servisim të takografëve.
 
As atij nuk i kujtohet nëse autobusi i aksidentuar ka pasur takograf të manipuluar, por edhe nëse ka pasur, tha se ka qenë i mënjanuar nga ana e tij. 
 
Procesi gjyqësor për këtë rast do të vazhdojë më 13 nëntor.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI