Ndotja nga "Ohis", Nuredini: S’ka vend për panik, gjendja në kontroll
Ministri i ambientit, Naser Nuredini, siguron se situata në Kompaninë “Ohis” është nën kontroll....

Ministri i ambientit, Naser Nuredini, siguron se situata në Kompaninë “Ohis” është nën kontroll, po ndiqet me vëmendje nga inspektorët dhe thotë se nuk ka vend për panik. Ministri paralajmëroi se do të kërkojë përgjegjësi nga kompania për atë që ka ndodhur.
“Të gjitha institucionet janë përfshirë sipas kompetencave që ta zgjidhin rastin. Potencoj se nuk ka vend për panik dhe situata është nën kontroll. Inspektorët kanë qenë në teren dhe janë kryer inspektime të instalimit",- tha ministri i ambientit, Naser Nuredini.
Inspektorati i Ambientit Jetësor: Lënda u grumbullua, vaskën e pastruam
Inspektorët që dolën në terren konstatuan se bëhet fjalë për derdhje të një sasie të lëngshme gjatë pastrimit të një cisterne me metal akrilat monomer, që është derdhur në vaskën e betonit që shërben në rast incidenti që ujërat toksike të mos e ndotin tokën dhe ujin. Sqarojnë se lëngu është pastruar.
“Nga ana jonë është obligim që menjëherë të mblidhet sasia e lëngshme, pasi përhapej aromë jo e këndshme për çka reaguan edhe qytetarët. Por, rreth orës 23:00, e tërë sasia e derdhur ishte grumbulluar, ndërsa vaska e betonit u pastrua me ujë",- tha inspektori në Inspektoratin e Ambientit Jetësor, Pejo Kirovski.
Sektori për përballje me mbetjet: Kimikatet duhet t’i pastrojë kompania e zgjedhur
Në “Ohis” prej vitesh ka mbetje të vjetra me të paktën 10 materie të rrezikshme për të cilat duhet të kryhet kategorizim, pasi nuk dihet përbërja meqë janë shlyer mbishkrimet me sqarimin e përmbajtjes. Por, për procedurën e pastrimit të kimikateve në hapësirat e “Ohis” është kompetente Kompania "Ekocentar 97" e jo Ministria e Ekologjisë.
“Bëhet fjalë për pronë që nuk është në kompetencë të shtetit, që nuk është rast me dy lokacione ku ruhet lindani, prandaj kompania i shpall tenderët dhe vendos cilën kompani do ta angazhojë. Ministria përfshihet vetëm në pjesën e kritereve që duhet t’i plotësojë kompania dhe nuk ka përgjegjësi në përzgjedhjen e kompanive",- tha sektori për përballje me mbetjet, Ana Karanfillovska Maznevska.
Kimikatet e rrezikshme në “Ohis”, "Ekocentar 97": Do të transferohen jashtë RMV-së
Nga “Eko centar 97” thonë se nga 11 llojet e mbetjeve në “Ohis”, vetëm një është larguar e 9 të tjerat, presin të paketuara për t’u larguar jashtë vendit.
“Bëhet fjalë për 11 lloje mbetjesh të vendosura në disa lokacione. Një është hequr ndërsa nëntë janë paketuar për t’u larguar nga Maqedonia”,- u shpreh Vllado Momirivsku nga "Eko Centar 97".
Kompania ka vënë tashmë roje 24 orëshe dhe thotë se problemi me mbetjet e rrezikshme në “Ohis” do të zgjidhet në tërësi brenda muajve të ardhshëm. (Gyltene Sinani, TVM2)
