Ndryshimet në letërnjoftime, Kasami: Zaev nuk parashikon grafë për përkatësinë etnike

11.11.2019 17:47

Lëvizja Besa akuzon kryeministrin, Zoran Zaev....

Lëvizja Besa akuzon kryeministrin, Zoran Zaev, se po shkel marrëveshjet e arritura për ndryshimet kushtetuese. Kryetari i partisë, Bilall Kasami, thotë se qeveria dorëzoi në kuvend iniciativë për ndryshimin e Ligjit për letërnjoftime pa parashikuar grafën për përkatësi etnike. Kasami ka kërkuar që LSDM të korrigjojë gabimin, sikurse janë dakorduar me ndryshimet e fundit kushtetuese.

“Ky veprim i kryeministrit dhe qeverisë dëshmon edhe njëherë se LSDM-ja prej shqiptarëve i kërkon vetëm votat, ndërsa nuk shpreh gatishmëri dhe vullnet të plotësojë kërkesat legjitime të shqiptarëve. Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë kryeministrit Zaev që të tërheqë nga procedura parlamentare Ligjin për letërnjoftimet, të korrigjojë të njëjtin konform marrëveshjes së arritur gjatë ndryshimeve kushtetuese dhe të dërgojë si propozim të qeverisë edhe plotësimin e grafës së përkatësisë etnike. Ne nuk kërkojmë as më shumë e as më pak nga ajo që jemi marrë vesh me qeverinë dhe që qeveria e ka publikuar në ueb faqen e saj zyrtare dhe ky është dokument dhe zotim publik që duhet përmbushur”,- tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Marrëveshja është publikuar më 11 janar të këtij viti, me dakordim në takimet midis kryeministrit dhe kreut të Besës. Nga Lëvizja Besa thonë se edhe përkundër këtij apeli nuk ka reflektim pozitiv, ata do të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat institucional për të detyruar qeverinë që të përmbush në tërësi marrëveshjen e ndryshimeve kushtetuese. (Meral Ismaili, TVM2)