Maqedoni

Shkatërrimi i gjelbërimit në Çair, Muça: Ta ruajmë, është në dobi të të gjithëve. Banorët: Të ndërmerren masa ligjore

11.11.2019 18:09

Papërgjegjësia qytetare nuk lejoi të marrin frymë as 24 orë 14 fidanët e rinj të mbjellë në komunën e Çairit...

 Persona të paidentifikuar i kanë shkulur dhe vjedhur fidanët e mbjellë një ditë më parë, duke lënë të shkelur dhe të shkatërruar hapësirën e gjelbër në afërsi të Poliklinikës së Çairit dhe komunës së Çairit, theksoi me keqardhje Ardijan Muça - drejtor i “Parqeve dhe Gjelbërimeve”, i cili aktin e cilëson si vandal. 
 
“Nuk kam fjalë të përshkruaj këtë akt vandal të cilin e bënë qytetarët pa marrë parasysh se kush janë ata. Këta drunj janë specifik, të cilët nuk mund të gjenden shumë shpesh në RMV, fatkeqësisht ne kemi punuar në këtë vikend permanent në 8 lokacione të Qytetit të Shkupit, ky vandalizëm, ky akt vandal ka ndodhur vetëm në këtë pjesë, këtu, dhe tani që më informuan para komunës së Çairit”,- u shpreh drejtori i N. P. “Parqe dhe Gjelbërime”, Ardijan Muça.
 
Edhe qytetarët shprehen të shqetësuar në lidhje me raste të ndryshme të prishjes dhe shkatërrimit të ambientit ku jetojmë, ndërsa theksojnë se duhet të punohet në ngritjen e vetëdijes si dhe të ndërmerren masa ligjore në këtë drejtim.
 
“Institucionet e bëjnë të veten, por qytetarët janë ata që duhet ta mbrojnë ambientin. Nuk mundet shteti as pushteti çdonjërit t’ia lëshojë nga një rojtar mbrapa. Do të thotë ne jemi ata që duhet ta mbrojmë ambientin aty ku jetojmë ne”,- tha një qytetar. 
 
“Për miletin këtu kjo është e mirë, me dal me pushu pak. Pensionist jam unë. Por, janë disa të rinj, disa hajdutë, ja që i shkulin, ja andej i kanë shkulur drunjtë, hajt se e prenë, por të mbillnin një tjetër le të dilte. Kurrë nuk mund të përparojmë ne”,- theksoi një qytetar. 
 
Rasti në fjalë është i paraqitur nga MPB dhe presin nga organet kompetente të ndërmarrin masa në këtë drejtim, shtoi Ardian Muça, i cili nënvizoi se problemi nuk qëndron vetëm në vjedhjen e këtyre fidanëve, por parashtrohet shqetësim për vazhdimin e një akti të tillë i cili do të ishte në dëm të të gjithëve.
 
LEUNORA KALIQI