Botë
Përplasjet te “Unaza e Re” në Tiranë, lëndohen 7 banorë dhe 5 policë
12.11.2019 12:01
Gjatë aksionit të nisur mëngjesin e sotëm nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit...

Gjatë aksionit të nisur mëngjesin e sotëm nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për prishjen e 33 objekteve në zonën e “Astirit”, për projektin e “Unazës së Madhe” të kryeqytetit, një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë.
Banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, ku për pasojë kanë plagosur 5 punonjës të policisë të cilët janë dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak. Gjithashtu edhe 7 banorë janë lënduar e po marrin ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën.
Policia apel: Banorët të distancohen nga dhuna
Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore. Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezentë tek “Unaza e Re”, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese.
Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT-së për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.
