Botë
Dërguan para për llogari të ISIS, arrestohen gjashtë persona në Holandë e Belgjikë
12.11.2019 13:42
Financimi i terrorizmit konsiderohet vepër penale, por shumë qytetarë të vendeve europiane...

Financimi i terrorizmit konsiderohet vepër penale, por shumë qytetarë të vendeve europiane dashur pa dashur janë bërë financues të terrorizmit përmes mashtrimit. Autoritetet holandeze në bashkëpunim me ato belge, kanë arritur të finalizojnë një operacion ndërkombëtar që rezultoi me arrestimin e 6 personave, të dyshuar për financimin e terrorizmit.
4 persona të dyshuar u arrestuan në Holandë dhe 2 në Belgjikë. Sipas mediave holandeze, të arrestuarit identiteti i të cilëve nuk është bërë I ditur, kanë mbledhur dhe dërguar në llogari të organizatave terroriste më shumë se 200 mijë euro. Këto para janë mbledhur duke mashtruar donatorët, të cilëve u është thënë se paratë do të shkonin në ndihmë të viktimave të luftës. Por hetimet kanë zbuluar se paratë në të vërtetë u janë shpërndarë luftëtarëve të ISIS në Turqi dhe Siri gjatë viteve 2013 dhe 2014.
“Më shumë se 130 mijë euro kesh janë dërguar në Siri . Pjesa tjetër e parave është përdorur për financimin e udhëtimit të të dyshuarve në vendet e luftës”, tha prokuroria holandeze në një deklaratë. Hetimi që çoi në zbulimin e skandalit të financimit të terrorizmit nga Europa në drejtim të Sirisë ka nisur që në vitin 2018.
