Merkel - Conte: Të hapen negociatat për RMV-në dhe Shqipërinë

12.11.2019 14:29

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka theksuar sërish rrezikun e ndikimit të aktorëve të tjerë...

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka theksuar sërish rrezikun e ndikimit të aktorëve të tjerë, përfshirë Rusinë, në Ballkanin Perëndimor.

Nga Roma, ku u takua me homologun italian Conte, Merkel tha se BE duhet të bëjë më shumë për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Duhet të bëjmë më shumë për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Nëse nuk e bëjmë këtë,  atje do të hapet një boshllëk që do të kërkohet të mbushet nga të tjerë. E kjo gjë nuk përputhet me interesat strategjike europiane. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë dhe vende të NATO-s dhe ne ndajmë në këtë drejtim një strategji atlantike”,- tha kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.

Në të njëjtën linjë ishte dhe kryeministri italian, Giuseppe Conte.

“Duhet të punojmë së bashku për arritjen e objektivit të zgjerimit të BE-së me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Një temë kjo mjaft e rëndësishme me të cilën ne u përballëm së fundi pa zgjidhjen e duhur”,- tha kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte.

Conte përkujton se anëtarët e BE-së janë në pikënisjen e legjislaturës evropiane, e kjo forcon impenjimin e përbashkët në drejtimin e zgjidhjeve europiane në mënyrë që të bëjmë më efikas përballimin e sfidave. (Belinda Koka Ademi, TVM2)