Ratifikimi i protokollit për në NATO, Shekerinska: Presim parlamentin spanjoll

12.11.2019 15:13

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska...

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, pret ratifikimin e shpejtë të protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO nga Holanda dhe Franca, ku procedurat janë nga fundi.

Rezultati i zgjedhjeve në Spanjë e bën të paqartë ndërkohë periudhën se kur ky vend do të mund të ratifikonte protokollin. Shekerinska është optimiste se ratifikimi mund të bëhet në dhjetor, por për këtë duhet pritur formimi i qeverisë së re.

“Zgjedhjet atje përfunduan dhe tani kanë filluar bisedimet për krijimin e shumicës dhe në bazë të informatave, seanca e parë në Parlamentin spanjoll pritet të mbahet në fillim të dhjetorit”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Zgjedhjet e parakohshme, Shekerinska: Nuk shtyhen, anëtarësimi në NATO është prioritet

Ratifikimi i protokollit nuk pritet të ndikojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, thotë Shekerinska, duke rikujtuar prioritetet strategjike të qeverisë, anëtarësimi në NATO dhe BE. Ajo shpreson që ratifikimi të ndodhë para zgjedhjeve të 12 prillit. 

“Unë nuk pres që nuk do të ndikojë, ne e sollëm vendimin me koncensus dhe ne po punojmë që zgjedhjet të mbahen më 12 prill. Duhet të bëjmë gjithçka që është në mundësinë tonë që me kohë të përfundojnë procedurat para zgjedhjeve parlamentare. Por, anëtarësimi në NATO është prioritet numër një dhe këtë e kemi pritur 30 vite dhe nuk duhet këtë ta rrezikojmë”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Egil Daltveit: Anëtarësimi i RMV-së në NATO prodhon paqe

Mbështetje vendit në integrimin në NATO i jep edhe Mbretëria norvegjeze.

“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO do të jetë e rëndësishme jo vetëm për vendin tuaj, por edhe për gjithë rajonin dhe për Aleancën, sepse këtu pastaj do të prodhohet paqe dhe Norvegjia do të jetë partnere e forcave ushtarake të Maqedonisë”,- theksoi atasheu i mbrojtjes i Mbretërisë norvegjeze, Egil Daltveit.

Aleanca kërkon armatë moderne të gatshme për përballje me sfidat. Në kuadër të kësaj, në akademinë ushtarake u promovua teknologjia e re, një donacion ky nga Mbretëria norvegjeze. (Fitim Kryeziu, TVM2)