Vala e punësimeve, Mançevski: Janë nevojë e institucioneve, bëhen çdo vit
Vala e punësimeve në sektorin publik në këtë periudhë nuk ka të bëjë me zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit...

Vala e punësimeve në sektorin publik në këtë periudhë nuk ka të bëjë me zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit, por ato janë të zakonshme, të parapara për çdo vit kalendarik.
Kështu theksoi ministri i dikasterit përgjegjës, Damjan Mançevski, i cili arsyeton se shumica e punësimeve që janë të shpallura janë si pasojë e kontratave që u skadojnë të punësuarve nëpër institucione.
“Kjo është diçka e cila po ndodh çdo vit pavarësisht a kemi zgjedhje apo jo. Nuk do të ndalen punësimet, institucionet kanë nevojë, është një materie e gjallë, nuk nënshkruan ministria, ne as që kemi informata kujt e çfarë i duhet. Institucionet duhet të punojnë, p.sh. pensionohet mjeku juaj, pensionohet apo lëshon vendin e punës mësuesja e fëmijës tuaj, a duhet ne për këto raste t’i zëvendësojmë këto vende”,- tha ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
Ekspertët: Pushteti të ketë më shumë kujdes me punësimet partiake
Ekspertët i tërhoqën vërejtjen e pushtetit që të mos e teprojë me punësimet partiake.
“Ky fenomen i punësimeve partiake në sektorin publik nuk është karakteristikë vetëm për rajonin, por paraqitet edhe në vendet e BE-së, por kjo gjë patjetër duhet të kufizohet”,- tha përfaqësuesi i BE-së në Shkup, Fek Janmat.
Në konferencën vjetore “Transformim digjital: reformimi i administratës për erën digjitale”, ekspertët e fushës diskutuan edhe për mundësitë e shteteve, për mundësinë e ofrimit të shërbimeve kualitative elektronike. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
