Maqedoni

30 mln euro më shumë për shëndetësinë, Filipçe: Pjesa më e madhe për paga më të larta

12.11.2019 16:28

Mjekët e rinj dhe ata me përvojë po largohen nga vendi. Bashkë me ta edhe personeli tjetër shëndetësor...

Shkak kryesor janë pagat e ulëta dhe kushtet e punës. Ministria e Shëndetësisë premton paga më të larta dhe kushte më të mira pune.
 
Në buxhetin për vitin e ardhshëm janë ndarë 30 milion euro më shumë për shëndetësinë, pjesa më e madhe e të cilave shkon në Fondin për paga dhe modernizimin e disa institucioneve shëndetësore. Është rritur në 485 milion denarë edhe buxheti i Programit të sëmundjeve të rralla.
 
Ministri Filipçe thotë se qeveria është e vendosur të stimulojë punonjësit shëndetësorë, sepse mjekë të kënaqur do të thotë edhe pacientë të kënaqur. 
 
“Mbi 30 milionë euro me këtë rritje tashmë do të investohen vetëm në paga kujdestari, jo vetëm punonjësve shëndetësorë, por edhe të gjithë të punësuarve në sektorin e shëndetësisë. Kjo është një prej mënyrave për simulimin e punonjësve shëndetësorë dhe para së gjithash të rinjtë të qëndrojnë të punojnë në vend”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Me rritjen e planifikuar, paga e mjekut specialist në Qendrën Klinike, në Klinikat kirurgjike dhe interne do të arrijë në 100,000 denarë.
 
Paga mesatare e mjekut specialist në spitalet e përgjithshme do të jetë mes 85-88.000 denarë, plus kujdestaritë.
 
Pagat e infermierëve dhe laborantëve do të rriten për 10% për mjekët e përgjithshëm në spitalet shtetërore 15%.
 
Në rritje janë përfshirë edhe punëtorët shëndetësorë me 5%, jashtë kësaj rritje mbetën administratorët dhe personeli ndihmës teknik. 
 
REJHANE BUSHI METAJ