Futboll
Kampionati Italian, sot në orën 20:45
20.09.2014 15:47
Seria A kthehet si në kohët e vjetra. Të paktën në tabelën e renditjes, Milani dhe Juventus...

Seria A kthehet si në kohët e vjetra. Të paktën në tabelën e renditjes, Milani dhe Juventus nisen si të barabartë në përballjen e tyre të parë në këtë sezon.
Dy skuadrat kanë marrë pikët e plota pas dy ndeshjeve të para, ndërsa sot në orën 20:45 do të zbresin në “San Siro” në një test të vërtetë force. Më shumë për Milanin. Skuadra e Filipo Inzagit duhet të ruajë ecurinë për të treguar se nisja e mirë e sezonit nuk është vetëm rastësi. Gjithsesi Milani do të ketë shumë ndryshime në skuadër, I detyruar edhe nga dëmtimet sidomos në mbrojtje.
Mungon portieri Diego Lopez, ashtu si mbrojtësi brazilian Aleks, të dy me probleme fizike pas sfidës së fundit me Parmën. Gjithsesi, Inzagi mund të jetë I qetë në sulm. El Sharavi është gati për t’u vendosur në krah të Menezit në një formë të shkëlqyer, ndërsa Torres me shumë mundësi do të nisë sfidën nga pankina.
Nga ana tjetër, Juventusi kërkon të ruajë ritmin pas dy fitoreve në ndeshjet e para dhe pas suksesit në Ligën e Kampioneve.
Ulja në pankinë e Masimiliano Alegrit duket se nuk ka ndryshuar asgjë në skuadrën që ka dominuar vitet e fundit në kampionatin italian. Aq më tepër, Juventusi ka gjetur në këtë fillimsezoni një Karlos Tevez të papërmbajtshëm dhe do të jetë pikërisht argjentinasi pika e referimit për kampionët në fuqi të Italisë.
