Maqedoni
Mungojnë statistikat zyrtare, OECD: Çdo vit migrojnë 9 mijë persona. Këshilli Rinor Nacional: Masa konkrete për parandalimin e migrimit
12.11.2019 17:10
Shteti ende nuk ka një statistikë të saktë për numrin për profilin e personave që migrojnë...

Analizat e fundit të OECDE-së të vitit 2021-2016 bëjnë të ditur se çdo vit mesatarisht migrojnë 9 mijë persona. Papunësia dhe cilësia e jetës janë ndër faktorët kyç për fenomenin “brain drain”.
“Kemi arsye të shumta për shpërngulje për migrim dhe këtu përfshihen të rinjtë të etabluar, studentë që vijojnë studimet jashtë vendit dhe nuk kthehen më, por numri më i madh janë punëtorë që kërkojnë punë jashtë vendit”,- tha Nikolla Shallvarinov nga Agjencia për Migracion.
“Shifrat flasin se punësimi është ndër faktorët kyç për shpërngulje, andaj nevojiten masa për uljen e papunësisë, por edhe që garantojnë cilësi në vendet e punës. Edhe mjedisi i punës, arsimimi dhe shëndetësia, respektivisht cilësia e jetës duhet përmirësuar që të rinjtë të mos shpërngulen nga vendi”,- tha Darko Kaevski nga Agjencia për Rini dhe Sport.
Migrimi i kushton shumë vendit, në veçanti migrimi i kuadrove të kualifikuar, thonë përfaqësuesit e Këshillit të të rinjve. Sipas tyre, mungojnë masat konkrete për parandalimin e këtij fenomeni.
“Shpërngulja e një njeriu, prodhimit bruto vendor i kushton mesatarisht 16 mijë euro, por për profesionistët në sektorin IT kjo shumë do ishte 33 mijë euro. Megjithatë, nuk posedojmë informata të detajuara se çka do thotë kjo për mjekët, infermierët etj. dhe për këtë na nevojitet analizë më e thellë”,- u shpreh Damir Neziri nga Fondacioni Për Demokraci.
Megjithatë, autoritetet thonë se po investojnë, sidomos për të rinjtë që studiojnë jashtë, që ata të kthehen në vend pas studimeve.
“Ne japim bursa me shumë të konsiderueshme që të munden t’i mbulojnë të gjitha shpenzimet e studimeve jashtë vendit, por njëra prej kushteve është që pas diplomimit ata të kthen në vendin tonë dhe njohuritë dhe kapacitetin intelektual që kanë arritur të mund të investojnë në vendin tonë”,- tha këshilltari në MASh, Safet Neziri.
Parandalimi i shpërnguljes së rinisë mund të realizohet, por nevojitet qasje e koordinuar e institucioneve shtetërore, biznes sektorit dhe OJQ-ve, që ky fenomen të zbutet dhe të parandalohet me kohë.
FLUTURA LATIFI
