3.9 miliardë euro buxheti për 2020, Qeveria: Rriten rrogat, pensionet dhe investimet

12.11.2019 17:26

Buxheti vitit të ardhshëm do të peshojë 3.9 miliard euro....

Buxheti vitit të ardhshëm do të peshojë 3.9 miliard euro dhe deficiti buxhetor parashikohet prej 2.3 për qind të BPV-së.

Buxheti 2020 përfshin rritje pagash e pensionesh, investime dhe strategji për zhvillim, thonë nga qeveria. Ministrja e financave, Nina Angelovska, sqaron se të ardhurat e fondit pensional janë rritur për 10 për qind për shkak të uljes së papunësisë dhe rritjes së pagave.

“Rritja e pensioneve vjen si shkak i rritjes së pagave dhe ekonomisë. Qeveria do të deponojë 19.3 miliardë denarë në fondin pensional, ndërsa në vitin 2018 shuma ishte më e lartë, 19.5 miliardë denarë”,- tha ministrja e financave, Nina Angelovska.

Megjithatë, për të arritur projeksionet për pagën minimale, duhen ndryshuar ligjet. Kryeministri Zaev pret debat në kuvend, por nuk beson të hasë pengesa në këtë drejtim.

“Projeksionet tona thonë se deri në fund të vitit do të miratohen ligjet, por nuk e di, dua ta shoh se kush është kundër Ligjit për pagë minimale dhe Ligjit për subvencionimin e kontributeve, por pres debat në Kuvend. Çdo kredi që shteti po e merr, po e merr për investime kapitale”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Borxhi publik, Qeveria: Paguajmë borxhet, planifikojmë investime të reja

Nga Qeveria thonë se borxhi publik i vendit është stabilizuar dhe vitin e ardhshëm parashikojnë rritje të lehtë, pasi planifikohen projekte për investime kapitale.

“Nuk mund të presim që përnjëherë të shlyhet borxhi publik, pasi që planifikojmë investime kapitale dhe njëkohësisht me borxhe të reja do të shlyejmë borxhe të vjetra. Presim që vitin tjetër borxhi publik të jetë më stabil”,- u shpreh ministrja e financave, Nina Angelovska.

“Nëse e ulim borxhin, kjo do të thotë që do të kemi mosrealizim të investimeve kapitale. Unë për vitin e ardhshëm do ta kisha rritur borxhin publik dhe atë 65 për qind nga BPV nëse e di se vitin e ardhshëm do të realizohen të gjitha projektet kapitale”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Vitin e ardhshëm duhet shlyer 439 milion euro nga borxhi i huaj dhe atë nga “deutsche bank” për vitin 2013 dhe euroobligacionet e vitit 2015. (Gazmend Rexhepi, TVM2)