Pendarovski takoi Makronin. Pendarovski: Asnjë alternativë tjetër përveç BE-së

12.11.2019 17:39

Maqedonia e Veriut nuk pajtohet me asnjë alternativë tjetër....

Maqedonia e Veriut nuk pajtohet me asnjë alternativë tjetër përveç integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Ky ka qenë mesazhi kryesor të cilin presidenti Pendarovski e ka thënë në bisedë me homologun e tij francez Makron. Presidenti francez ka pranuar se Maqedonia e Veriut i ka kryer obligimet e saj.

“I thashë se ne nuk do të pajtohemi me asnjë alternativë përveç anëtarësimit të plotë. Kjo mund të zgjasë me vite, megjithatë ne nuk pranojmë alternativë tjetër në formë të zonës ekonomike evropiane apo fqinj të BE-së. Më tha në formë precize se asnjëherë nuk ka qenë qëllimi i tij të na japë alternativë për anëtarësimin e plotë. Vetëm tha dua të  përmirësoj procesin që të mos prodhohet vetëm suksese burokratike dhe në thelb dështime tek vendet kandidate”,- deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.

Biseda Pendarovski - Makron ka pasur në fokus edhe metodologjinë e re, drafti i parë i së cilës është dorëzuar në institucionet e BE-së.

“Na lejoni neve, tha në fillim të bisedës, të thellojmë BE-në dhe përmirësimin  e metodologjisë, që janë dy palë në një proces. Thellimi për ata që janë brenda ndërsa metodologjia për ata që duan të jenë anëtarë të rinj”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski.

Makron do të vizitojë Maqedoninë e Veriut në gjysmën e parë të vitit që personalisht të bindë qytetarët e vendit tonë se nuk po i ofron vendit alternativë për anëtarësimin në BE. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)