Maqedoni

Data për negociata para majit, Osmani skeptik: Europa ka shumë telashe. Stoilkovski: Kemi kthim pas në standarde

12.11.2019 18:00

Zbehen shpresat për marrjen e datës për fillimin e negociatave para Samitit të Zagrebit...

Zbehen shpresat për marrjen e datës për fillimin e negociatave para Samitit të Zagrebit, të paralajmëruar për në maj të 2020-ës.
 
Spekulimet për një fillim më të hershëm nuk i beson as vetë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. I zhgënjyer nga rezultati i tetorit, Osmani konsideron se BE ka shumë probleme. 
 
“Vërehet një solidarizim i paparë i botës karshi këtij gabimi historik i BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, dhe besoj që ky solidarizim nuk mund të injorohet gjatë dhe prandaj janë këto lëvizje që po ndodhin për t’u përballuar me këtë presion të madh që po ndodh edhe ndaj Francës. Ne po punojmë për çdo samit. Edhe për 19 nëntorin kur do të jetë mbledhja e GAK-ut edhe për samitin e dhjetorit edhe për samitin e marsit, mirëpo çdo informacion e marr me rezervë për shkak se si duket Evropa ka shumë telashe”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
Përderisa pushteti konsideron se problemi qëndron brenda Unionit, opozita maqedonase problemin e sheh brenda qeverisjes dhe arritjen e rezultateve të pamjaftueshme.
 
“Ngecja në reforma dhe kthimi pas në standarde është i dukshëm dhe për këto reagonte Franca, Parisi dhe Makron dhe jo vetëm nevojën për reforma në vetë Unionin Evropian. Është mirë që po mbahen takime, por nuk besoj se Stevo Pendarovski ka argumente që do të rrëzonin njohuritë që kanë në Francë për gjendjen në Maqedoni dhe kthimin pas në reforma dhe nivelin e krimit dhe korrupsionit që po ndodh në Republikën e Maqedonisë”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
 
Zyrtarisht, mundësia për t’iu rikthyer çështjes së zgjerimit, përkatësisht caktimit të datës për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është lënë për në Samitin e Zagrebit, mirëpo Parlamenti Evropian, me rezolutë të posaçme, i kërkoi Këshillit të Ministrave që kësaj çështje t’i rikthehen më herët.
 
Interesi i të dy palëve është që sinjali pozitiv të jepet para zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit, përkatësisht gjatë Samitit të marsit. Spekulime të tilla vijnë nga qarqe brenda unionit, por edhe nga zyrtarë të lartë nga rajoni.
 
SHPËTIM NUREDINI