Aleanca për Shqiptarët: Institucionet të ndjekin penalisht Merkon dhe Bexhetin
Aleanca për Shqiptarët ka ftuar institucionet gjyqësore për drejtësi joselektive...

Aleanca për Shqiptarët ka ftuar institucionet gjyqësore për drejtësi joselektive ndaj kryetarëve të komunave nga radhët e BDI-së, Ramiz Merkos dhe Blerim Bexhetit, për të cilët Anti-korrupsioni ka iniciuar hetime penale.
Nga partia e Zijadin Selës gjithashtu kërkojnë edhe dorëheqjen e zëvendësdrejtorit të doganave, Irfan Buçit, pasi u ka mundësuar nëpunësve doganorë shkelje grupore të ligjit, duke shprehur publikisht bindjet e tyre politike.
“Aleanca për Shqiptarët kërkon nga organet kompetente t’i qasen çështjeve seriozisht, duke mos anuar dhe duke mos krijuar drejtësi selektive. Si çdo kush tjetër, edhe këta funksionarë të BDI-së duhet t’i nënshtrohen drejtësisë për të bërat e jashtëligjshme. Irfan Buçi duhet të japë dorëheqje, për shkak të keqpërdorimit të administratës në të cilën ai është zëvendësdrejtor”,- tha udhëheqësi i departamentit juridik në ASh, Abidin Abduli.
BDI të thotë informacionet për rastet e montuara
Nga Aleanca për Shqiptarët ftojnë BDI-në dhe kreun e partisë, Ali Ahmetit, që të bëjë publike informacionet që fsheh për rastin “Monstra”, si dhe për rastet paraprake “Sopoti” dhe “Alfa”.
“Cilës përgjegjësi duhet t’i ik ai, ç’është ajo që BDI din për “Monstrën”, por me çdo kusht tenton ta fshehë. Ç’është ajo që BDI din për të gjitha rastet e sipërpërmendura dhe vazhdon t’i fshehë. Ishte BDI dhe LSDM që lejuan rikualifikimin e lëndës për Almir Aliun, ishte po kjo qeveri që lejoi që ky rast të kalojë me dënimin më të lehtë të mundshëm, ndërkohë që shqiptarët dënohen me dënime ekstremisht të larta”,- u shpreh udhëheqësi i departamentit juridik në ASh, Abidin Abduli.
Aleanca opozitare thotë se sikurse deri më tani s’heqin dorë nga protestat kundër rasteve të montuara politike. (Meral Ismaili, TVM2)
