Zgjedhja e zëvendësministrit të shëndetësisë, pushteti dhe opozita përplasen në Kuvend

12.11.2019 17:49

Pushteti dhe opozita u përplasën në kuvend gjatë seancës....

Pushteti dhe opozita u përplasën në kuvend gjatë seancës, ku në rend dite ishte zgjedhja e zëvendësministrit të shëndetësisë.

Kryeministri, Zoran Zaev, e lexoi biografinë e zëvendësministrit të ri, Armend Arsllanit, por opozita shfrytëzoi mundësinë që të akuzojë kryeministrin edhe për çështje tjera.

“Dua t’u falënderoj për ajrin e pastër në këtë sallë, që nuk është i ndotur si jashtë. Më lejoni ta uroj realizimin e qëllimit strategjik të vendit me anëtarësimin në Unionin e madh me Shqipërinë dhe Serbinë. Me gjasë rrugës për anëtarësim në këtë union, nuk do t’i shfrytëzojmë veturat e vjetra të ndihmës së shpejtë, por Mercedesin e Gruevskit. Do t’ju lusja që këtë pikë ta largoni nga rendi i ditës dhe propozoj që zëvendësministër i shëndetësisë të emërohet ai djali i ri nga Gazi Baba që i fiton të gjithë tenderët të mëdhenj milionësh. Mendoj që kështu do të jemi më praktikë”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE-së.

Qesharake është të shtrembëroni të vërtetën, aq më tepër kur në rend dite është zgjedhja e zëvendësministrit të shëndetësisë, tha në reagimin e tij kryeministri Zaev.

“Zoti Dimovski, është e qartë se jeni kundër bashkëpunimit me fqinjët tanë, por të përpiqeni të shkaktoni përsëri të pavërteta për çfarë do ndërrimi të rrugës tonë integruese drejt integrimit në Bashkimin Evropian për shkak të bashkëpunimit me fqinjët vërtet është qesharake, por edhe më qesharake është se gjatë pikës për zgjedhjen e zëvendësministrit të shëndetësisë flasim për përparimin e bashkëpunimit të rajon midis të gjitha vendeve”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

Kryeministri Zaev i kërkoi opozitës që të respektojnë dinjitetin e zëvendësministrit dhe mjekëve tjerë që u përmendën nga foltorja e kuvendit sepse, sipas tij, ata para së gjithash janë mjekë. Deputetët e opozitës vazhduan me fjalimet e tyre kryesisht jashtë temës së diskutimit. (Naim Ramadani, TVM2)