Maqedoni
Carovska: Rriten pensionet për 700 denarë
13.11.2019 15:58
Nga janari i vitit 2020, pensionistët do të marrin pensionet me rritje prej 700 denarësh....

Me këtë rritje, pensioni mesatar do të jetë 15.500 denarë. Kjo rritje, sipas ministres për punë dhe politikë sociale, Mila Carovska, nuk është një zgjidhje “ad hok”, por si rezultat i asaj se paga mesatare është rritur për 5%, kurse paga minimale për 15%.
“Kjo rritje e pensioneve është rritja më e madhe në 12 vitet e fundit, për atë se nuk bëjmë marrje të indeksimit të garantuar me ligj dy herë në vit, ai qëndron në sistem dhe kjo është mënyra se si e mbajmë stabil sistemin dhe gjithmonë kur do të paraqiten këto dy indikatorët shtesë, rritje e BPV-së mbi 4% apo rritje e pagës minimale në kombinim me rritje të pagës mesatare, do t’i rrisim pensionet për herë të tretë në vit”,- tha Milla Carovska nga MPPS.
Zendeli: Është stabilizuar puna e Fondit
Të hyrat e FSPI-së janë rritur për 10%, thotë drejtori i Fondit, Shaip Zendeli, sipas të cilit, me ndryshimet në rregullativën ligjore është stabilizuar puna e Fondit.
“Stabilizimi i punës së fondit në vitin 2019 ka të bëjë me rritjen e përqindjes së kontributit pensional dhe invalidor prej 18 në 18.4%, që për së pari herë ndodh pas një periudhe të gjatë, nga të cilat 12.4% mbeten në Fondin Pensional dhe Invalidor të shtyllës së parë, ndërsa 6% transferohen në shoqërinë pensionale private”,- u shpreh drejtori i FPI-së, Shaip Zendeli.
Mickovski: Rritja e pensioneve, për blerje votash
Por, nga VMRO-DPMNE thonë se rritja e pensioneve tani është shkas për blerje të votave për zgjedhjet e vitit 2020. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickovski, këtë rritje e quan si politikë hipokrite të Zaevit, pasi, sipas tij, për tre vite ka pasur vetëm shkurtim të pensioneve.
“Kemi shkurtim të pensioneve për 1400 denarë gjatë periudhës trevjeçare, që tani t’i rrisin për 720 denarë. Kjo tregon edhe njëherë dyfytyrësinë e Zoran Zaevit. Pse në të kaluarën shkurtonte, kurse tani pse po i rrit? Kjo tregon se ai është i frikësuar dhe janë të frikësuar njerëzit rreth tij, për shkak se më 12 prill do të vijë përgjigjja e popullit”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Sipas Mickovskit, pensionistët gjatë tre viteve qeverisje të LSDM-së janë dëmtuar për 1800 denarë, pasi tre vite me radhë nuk janë rritur pensionet për 600 denarë, sipas tij, ashtu siç ndodhte në kohën e VMRO-së.
ERSAN PAJAZITI
